Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 17 qershor 2026 – Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), z. Ismail Dibrani, vizitoi sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

 

Me rastin e vizitës së Zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, në Akademi (AKSP), Drejtori i Përgjithshëm, z. Spend Shabani, i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për vizitën, duke vlerësuar mbështetjen institucionale për zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Akademisë. Gjatë takimit, ai prezantoi mandatin, zhvillimin institucional dhe të arriturat kryesore të AKSP-së në fushën e arsimit dhe trajnimit për siguri publike, si dhe prioritetet strategjike për periudhën e ardhshme.

 

Në këtë kuadër, u theksua progresi i arritur në zhvillimin e programeve trajnuese dhe akademike, proceset e akreditimit vendor dhe ndërkombëtar, si dhe roli i Akademisë në përgatitjen dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shërbimit Sprovues të Kosovës, Doganës së Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit Emergjent dhe Inspektoratit Policor të Kosovës. Po ashtu, u ritheksua vizioni i Akademisë për t’u zhvilluar më tej si një qendër moderne dhe lidere rajonale në fushën e sigurisë publike.

 

Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja znj. Gërvalla-Schwarz vlerësoi angazhimin dhe rezultatet e Akademisë ndër vite, duke theksuar kontributin e saj në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve të sigurisë publike dhe promovimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar.

 

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me AKSP-në dhe rëndësinë e programeve trajnuese në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit korrektues në përputhje me standardet bashkëkohore dhe ndërkombëtare.

 

Në përfundim të vizitës, znj. Gërvalla-Schwarz, së bashku me delegacionin shoqërues, të udhëhequr nga Drejtori z. Shabani dhe zyrtarë të lartë të Akademisë, vizituan hapësirat dhe objektet e Akademisë. Me këtë rast, ata patën mundësinë të njihen nga afër me kushtet e trajnimit dhe të përcjellin aktivitetet teorike dhe praktike të kadetëve që aktualisht janë duke ndjekur programet trajnuese në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. 


 

Zyrtarë të AKSP-së morën pjesë në Konferencën Vjetore të IADLEST në SHBA

 

Vushtrri, 12 qershor 2026 – Dy zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), dr. Vilard Bytyqi, ushtrues detyre i Dekanit të Fakultetit për Siguri Publike, dhe z. Emin Uka, Udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, Kolonel Fehmi Hoti, Kolonel Dejan Janković, zëvendësdrejtor të përgjithshëm, si dhe Kolonele Taibe Canolli, drejtoreshë e Departamentit të Burimeve Njerëzore, morën pjesë në Konferencën Vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST), e mbajtur në Fort Worth, Texas, SHBA, nga 7 deri më 10 qershor 2026.

 

Pjesëmarrja në këtë konferencë vazhdon angazhimin e kahershëm të AKSP-së në rrjetet ndërkombëtare të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike. Që nga viti 2012, përfaqësues të Akademisë kanë marrë pjesë në njëmbëdhjetë konferenca vjetore të IADLEST-it, duke e renditur AKSP-në ndër institucionet më aktive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me këtë organizatë.

 

IADLEST është një organizatë profesionale që promovon zhvillimin e standardeve dhe praktikave më të mira në trajnimin dhe certifikimin e personelit të sigurisë publike. Përmes aktiviteteve të saj, organizata mbështet bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e sistemeve të trajnimit për institucionet e zbatimit të ligjit.

 

AKSP gëzon një histori të suksesshme bashkëpunimi me IADLEST. Në vitin 2018, Akademia u bë institucioni i parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u akreditua nga kjo organizatë. Më pas, në vitet 2021 dhe 2024, AKSP u riakreditua me sukses, duke u vlerësuar në të dy rastet me Çmimin e Ekselencës, një nga vlerësimet më të larta që jep IADLEST për institucionet e trajnimit në fushën e sigurisë publike. Akreditimi aktual është i vlefshëm deri në vitin 2028.

 

Pjesëmarrja në konferenca të tilla ndërkombëtare kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të Akademisë, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e vazhdueshëm të standardeve të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.


 

Në AKSP u mbajt Trajnimi për Hetimin dhe Reagimin ndaj Incidenteve Kibernetike (CIIRT)

 

Vushtrri, 12 qershor 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, nga data 8 deri më 12 qershor 2026, u realizua trajnimi me temë “Hetimi dhe Reagimi ndaj Incidenteve Kibernetike” (Cyber Incident Investigations and Response Training), i ofruar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Department of Homeland Security).

 

Në trajnim morën pjesë zyrtarë nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Agjencia për Shoqërinë e Informacionit dhe Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

 

Trajnimi kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus në hetimin, analizimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike si pjesë e përpjekjeve më të gjëra kundër terrorizmit dhe kundër organizatave kriminale transnacionale.

 

Gjatë pesë ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet bashkëkohore të mbrojtjes kibernetike, metodologjitë e identifikimit dhe analizimit të kërcënimeve, proceset e reagimit ndaj incidenteve, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.

 

Programi përfshiu ligjërata teorike dhe ushtrime praktike, të cilat mundësuan zhvillimin e aftësive për identifikimin e treguesve të komprometimit, analizimin e të dhënave relevante për hetime kibernetike dhe menaxhimin efektiv të incidenteve të sigurisë.

 

Trajnimi u përmbyll me një ushtrim praktik gjithëpërfshirës, ku pjesëmarrësit aplikuan njohuritë e fituara në trajtimin e një skenari të simuluar të një incidenti kibernetik.

 

Organizimi i këtij trajnimi paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërinstitucionale në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në përballjen me sfidat e sigurisë në hapësirën digjitale.

 

 

 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00