Diplomoi gjenerata e 41-të e Policisë së Kosovës

16.07.2010

Vushtrri, 16 korrik ’10 - Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) sot diplomoi gjenerata e 41-të e Policisë së Kosovës (PK).  Kjo gjeneratë numëron 75  pjesëtarë, të cilët gjatë trajnimit të modifikuar 12 javor ata janë trajnuar sipas planprogramit të dizajnuar në bazë të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të pranishëm ishin zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Kryeshefi Ekzekutiv i QKSPEZH-it, Sheremet Ahmeti, drejtori i Shkollës së Trajnimit Policor në Nazili të Turqisë, Ahmet Pala, nënkolonel Driton Zabërxha si dhe përfaqësuese nga OSBE-ja.
Me këtë rast drejtuesit e Policisë së Kosovës u zotuan se do të jenë të përkushtuar për të garantuar rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi duke përshëndetur të pranishmit në emër të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit ka shfaqur shpresën se çdo pjesëtarë i policisë do ta kryej punën e tij me dinjitet dhe  përkushtim të plotë.
“Profesioni që ju keni zgjedhur është profesion më fisnor, sepse ju jeni ata që do ta mbroni vendin dhe do të vendosin rend dhe rregull në Kosovë. Gjenerata e juaj dhe gjenerata tjera do ti mbrojë vlerat e çdo qytetari të Kosovës pa dallim feje, etnie, race apo gjinie”, kështu u tha z.Selimi të sapodiplomuarave.
Ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, z.Shermet Ahmeti tha se policët që sot po diplomojnë do të jenë një faktor i rëndësishëm i ruajtjes së sigurisë, rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, ju do te jeni në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve pa dallime nacionale, racore, etnike, fetare regjionale etj.
Objektivi i trajnimeve tona ka qenë dhe është Policia e Republikës së Kosovës të punojë mbi bazën e vlerave më themelore të civilizimit njerëzor demokratikë, ligjshmërinë , mosdiskriminimin, lirinë, barazinë, profesionalizmin, bashkëpunimin me komunitetin, efikasitetin në detyrë dhe respektimin  vlerave të tjera demokratike që kanë bëjnë me mbrojtjen e çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Z. Ahmeti tha se motoja e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim është: dije, njohuri dhe profesionalizëm sa më i madh për pjesëtarët  e Policisë së Kosovës.
Zëdhënsja e gjeneratës së 41-të të Policisë së Kosovës znj.Ruke Dobraj tha se që nga dita e sotme familjes së madhe dhe të shenjët të zbatuesit të ligjit ju bashkua edhe një gjeneratë e re të cilët do të na kenë përkrahë me plotë përgjegjësi morale, profesionale dhe do ti kryejmë me nderë të gjitha detyrat që na udhëzon ligji i Republikës së Kosovës.
Pas shpërndarjes së diplomave, kapitenët e klasave dorëzuan flamujt të cilët simbolizonin të arriturat akademike, disiplinën si dhe arritjet në të gjitha lëmit përgjatë 3 mujorit të  trajnimit. Këta flamuj iu dorëzuan drejtorit të  Drejtoratit për Trajnime Mandatorë, nënkolonel Driton Zabërgja.