Sot diplomoi gjenerata e 60-të e Policisë së Kosovës

02.08.2024

Vushtrri,  02 gusht 2024 –  448 kadetë pas përfundimit të trajnimit për zyrtarë policor,  të mbajtur në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike (AKSP) që nga sot do ti bashkohen Policisë së Kosovës për ti shërbyer gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


Gjatë ceremonisë së diplomimit kadetët e gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, u betuan së do të  kujdesën për sigurinë dhe paqen e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurit gjatë ceremonisë së diplomimit tha se  qeveria do të vazhdojë ta mbështet policinë e vendit.


“Policia e Kosovës këtë vit mbush 25 vjet. Sot i shtohen radhëve të saj edhe 448 policë të rinj. Themelimi i Policisë përkon me çlirimin e vendit. Zhvillimi i saj ecën krah për krah me përparimin e shtetit”, tha kryeministri Kurti.


Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që inkuadrimi i femrave në radhët e policisë është duke u rritur.


”Gjenerata jubilare e 60-të, në të cilën çdo e pesta është grua, e ku si në çdo gjeneratë tjetër ka edhe kadetë të diplomuar nga radhët e komuniteteve jo shumicë, do të shërbejë me nder dhe dinjitet, pa dallim e për të gjithë, si vlera, parime dhe identitet i policisë sonë”, tha kryeministri Kurti.


Kryeministri Kurti gjatë kësaj ceremonie përmendi edhe rritjen e buxhetit për Policinë e Kosovës.


“Përkushtimit profesional për të shërbyer, ia kemi dhënë dhe mbështetjen institucionale që meriton. Policia ka gati 50% më shumë buxhet sesa kishte para qeverisjes sonë. Kemi bërë investime prej afër 17 milionë euro në pajisje policore logjistike, 3 milionë euro në rregullimin dhe ndërtimin e objekteve policore, gati 8 milionë euro në flotën automjeteve dhe autoblindave. Sepse misionin për vendin tonë e kemi të përbashkët. Çdo sfidë e çdo sukses, do ta kalojmë bashkë”, tha kryeministri Kurti.


Në fund kryeministri Kurti, zyrtarëve të rinj policor iu uroi suksese në detyrë.


Suksese në punë  kadetëve të sapo diplomuarave iu uroi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Duke iu ofruar përkrahje ministri Sveçla tha se policia me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngritin këtë institucion si më të besueshmin për  qytetarët e Republikës së Kosovës.


“Policia jonë me ritme të shpejta po plotëson dhe forcon radhët e saj, duke ua hapur dyert qindra djemve dhe vajzave, nga secili komunitet, që kanë ëndërruar e punuar për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës”, tha ministri Sveçla.


 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha tha prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.


Drejtori Hoxha kërkoj nga ta që gjatë punës së tyre të kujdesën për rend dhe siguri për gjithë qytetarët e vendit tonë.

 

 Në këtë ceremoni morën pjesë edhe zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari si dhe ambasador dhe përfaqësues të insititucioneve vendore dhe nderkombëtare në Kosovë.