Në Akademi diplomoi gjenerata e 44 e Shërbimit Korrektues të Kosovës
Vushtrri, 17 korrik 2024 - Pas një trajnimi shtatë mujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot diplomoi gjenerata e 44 e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Nga sot SHKK- së do t’i bashkohen edhe 64 zyrtarë të cilët do të garantojnë sigurinë e secilit të dënuar dhe mundësinë e korrektimit të individëve të cilët kanë bërë vepra të gabuara.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu uroi kadetëve suksese për të arritur dhe i inkurajoi secilin të mbajë standard të lartë profesionalizmi dhe etikë në çdo veprim që ndërmarrin.
Haxhiu kërkoi nga ta që të përkushtohen në përmirësimin e vazhdueshëm, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.
Duke i’u ofruar mbështetje ministrja Haxhiu falenderoi sëcilin zyrtarë korrektues për përkushtimin dhe gatishmërinë për t’ju shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin dhe sigurinë e shoqërisë sonë.
Ndërsa, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 44 të kadetëve korrektues i’u uroi kadetëve suksese në punën e tyre.
“Të nderuar kadetë gjatë kohës së qëndrimit tuaj në Akademi, njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë të cilat i keni fituar nga pjesa teorike dhe praktike tanimë do t’i zbatoni në misionin e juaj shumë fisnik si zyrtar korrektues”, u shpreh Jashari duke thënë se marrja e përgjegjësive të reja nga ana tyre është motiv shtesë edhe për gjeneratat e ardhshme.
“Çdo sukses i juaji i arritur në veprimtarinë tuaj zyrtare nënkupton sukses për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike si dhe Shërbimin Korrektues te Kosovës”, tha Jashari.
Drejtori Jashari u zotua se Akademia e Kosovës për Siguri Publike do ta vazhdoj misionin e saj ligjor për trajnimin e zyrtarëve të sigurisë publike.
Kadetëve të sapodiplomuar suksese në punë
i’u uroi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Ndërsa në emër të kadetëve ka folur Antigona Shatri e cila i përshendeti kolegët e saj duke iu uruar suksese në punën e tyre.