Një delegacion nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut vizitoi Akademinë

29.05.2024

Vushtrri, 28 maj 2024 - Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Kastriot Jashari, priti sot në takim dekanin e Fakultetit të Sigurisë të Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Manastirit në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski i cili ishte i shoqëruar nga prodekanja e këtij fakultetit, Snežana Mojsoska.


Drejtori, Jashari së bashku me dekanin e  Fakultetit të Sigurisë Publike , Ferid Azemi, e njoftuan delegacionin maqedonas për zhvillimet e fundit në Akademi.


Gjatë këtij takimi, drejtori Jashari e njoftoi dekanin Dujovski për gjendjen aktuale në Akademi, duke përfshirë të arriturat e fundit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet institucioni. Ai foli edhe për të reja në rekrutimin e zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë. Në theks të veçantë drejtori Jashari u fokusua në fushëveprimtarinë dhe mandatin e Akademisë si i vetmi institucion në Kosovë për trajnimin dhe arsimin e këtyre zyrtarëve të sigurisë publike në vend. 


Ndërsa, dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi, Ferid Azemi e njoftoi delegacionin në fjalë, rreth zhvillimit të procesit arsimor në fakultet. Po ashtu Azemi foli edhe për mundësitë e reja për të fuqizuar më tej bashkëpunimin ndërmjet të dyja fakulteteve.


Kurse, dekani i Fakultetit të Sigurisë të Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Manastirit në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski u shpreh i gatshëm që bashkëpunimi nderinstitucional të vazhdojë edhe më tutje.  


Gjatë takimit dekani Dujovski  njoftoi për  të rejat më të fundit që e përcjellin Fakultetin e Sigurisë në Shkup në veçanti rreth arsimit të lartë në përgjithësi. 


Në fund të takimit, të dy delegacionet u pajtuan që bashkëpunimi mes tyre në fushën e arsimimit në sigurinë publike të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke marrë pjesë kështu në programe dhe projekte të ndryshme të përbashkëta.



Përndryshe, Fakulteti i Sigurisë Publike i AKSP-së dhe Fakulteti i Sigurisë në Shkup i Universitetit “St. Kliment Ohridski” të Universitetit të Manastirit nga Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2017, e cila është përtërirë edhe në 2022, përderisa kjo është hera e parë që realizohet shkëmbimi i stafit mësimdhënës ndërmjet të dyja institucioneve përmes fondeve të programit Erasmus+. Si rezultat i marrëveshjes ndërmjet të dyja institucioneve përmes Erasmus+, Dekani i FSP-së, Ferid Azemi dhe ligjëruesja e rregullt në këtë FSP Anita Zenuni,  gjatë këtij muaj kanë marr pjesë  në cilësinë e ligjëruesve në kuadër të mobilitetit të stafit për mësimdhënie në Fakultetin e Sigurisë në Shkup. Ndërsa nga tetori i këtij viti, një student i FSP-së do të qëndrojë për një semestër të plotë atje.


Erasmus+ është program i BE-së që përkrah arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. AKSP e përdor atë që nga viti 2016 për ndërkombëtarizimin e saj, ku kryesisht janë shkëmbyer studentë, pjesëtarë të stafit akademik dhe atij administrativ në gjashtë shtete nga rajoni dhe Evropa.