Diplomoi gjenerata e 43 e kadetëve të zyrtarëve korrektues

24.11.2023

Vushtrri, 24 nëntor 2023 – Që nga sot Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK)  do t’i bashkohen edhe 45 zyrtarë të rinj. Pas një trajnim shtatë mujor në Akademinë e Kosovës  për Siguri Publike (AKSP), sot diplomoi gjenerata e 43 e kadetëve  të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 43 të kadetë të zyrtarëve korrektues, Shërbimi Korrektuese i Kosovës  shënoi  24 vjetorin e themelit të saj. 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në ceremoninë e diplomimit të kësaj gjeneratës, tha  se Shërbimi Korrektues i Kosovës më qëllim të ngritjes së kuotës me sukses po çertifikon 45 korrektuese gra.   Duke e uruar SHKK për përvjetorin e themelimit të saj, kryeministri Kurti tha se shënimi i përvjetorëve  të  këtyre institucioneve  ka rëndësi të veçantë kur progresi i tyre është evident, kur efikasiteti  i shërbimeve është drejtë lartësisë së dëshirueshëm, kur ne mburremi më këto suksese dhe inkurajohemi për më shumë punë  në të ardhmen. 


Kryeministri Kurti tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar dhe mundësinë  e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla, të cilët sanksionohen me ligjet e republikës së sonë.


Kryeministri Kurti tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë,  me ambiente rehabilituese e risocializuese.


 “Në proces është edhe themelimi i institucioneve  për trajnimin dhe trajtimin e personave më nevoja të veçanta, personave të moshuar që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm, personave  më sëmundje kronike, personave  varës  nga substancat të ndryshme”, tha kryeministri Kurti.  

 

Ndërsa, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, në ceremoninë e diplomimit  të gjeneratës së 43 të kadetëve korrektues, e uroi SHKK për 24 vjetorin e themelimit të saj.


Jashari tha se  Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion me rëndësi shumë të madhe për vendin i cili ka një mision thelbësor dhe sfidues.

 

 “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike kanë bashkëpunim të shkëlqyer, ky bashkëpunim është përkthyer në rritjen e nivelit të cilësisë në mësimdhënie dhe  mësim nxënie për  kadetët korrektues”, tha Jashari.


Duke i uruar kadetët e sapo diplomuara, drejtori Jashari tha se  aftësitë, shkathtësitë dhe kompetencat të cilat i kanë  përfituar nga pjesa teorike dhe praktike  në kuadër të trajnimit profesional në Akademi,  tani më duhet t’i përdorin në ushtrim të detyrave dhe veprimeve praktike në misionin e tyre të shenjtë.

 

“Kjo gjeneratë e përbërë nga 45 femra është inkurajim dhe motiv shtesë se sa  lartë mund të ngjitemi në ushtrimin e  përgjegjësive shtetërore sa i përket rolit dhe rëndësisë së femrës në Republikën e Kosovës”, u shpreh Jashari.


Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke i uruar kadetët në diplomimin e tyre iu uroi suksese në punën e tyre të shenjtë. Ministria Haxhiu tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion që ka shënuar progres,  si në infrastrukturë ashtu edhe në cilësinë e shërbimit dhe të profesionalizmit.

Ministria gjatë kësaj ceremonie  kërkoi  nga zyrtarë që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi të lartë.



Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, u shpreh i lumtur  që sot SHKK  po shënon dy suksese diplomimin e gjeneratës së 43 të kadetëve të zyrtarëve korrektues dhe 24 vjetori i themelimit të SHKK-së.

Drejtori Dibrani tha se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i promovuar vlerat e drejtësisë.