Në Akademi përfundoi programi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës

10.11.2023

Vushtrri, 10 nëntor 2023 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, dyzetë zyrtarë të institucioneve të sigurisë publike përfunduan programin Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës.


Kjo shkollë është organizuar nga Qendra për Siguri Publike në Universitetin Northwestern të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe është mbështetur nga Programi Ndërkombëtar i Përkrahjes së Trajnimit të Hetimit të Krimit  (ICITAP) në Kosovë.


Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë; ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, ministrja e Drejtësisë, Albulena  Haxhiu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari,  drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, menaxherja e Programit të ICITAP  Kimberly Riffe  si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.


Nga të pranishmit, programin e kësaj shkolle e vlerësuan si shumë të rëndësishëm në ngritjen e nivelit profesional dhe përfitimin e njohurive në fushën e sigurisë publike.


Ndryshe,  Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës është hera e shtatë që mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe zgjatë dhjetë javë. Në këtë shkollë ligjërues kanë qenë profesor nga Universiteti Northwestern.