Kryeministri Kurti vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Vushtrri, 18 tetor 2023 – Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, sot vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për të mbajtur një fjalë rasti para pjesëmarrësve të vendeve të ndryshme të botës të cilët janë duke marrë pjesë në trajnimin “Menaxhimi i Situatave Emergjente”.
Kryeministri Kurti i cili u prit nga zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, para të pranishmëve foli kryesisht për sfidat dhe situatën e sigurisë në vend.
Kryeministri Kurti, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e vendeve të huaja në këtë trajnim, tha se diskutimet për siguri në të gjitha dimensionet e saj, janë gjithmonë të rëndësishme, të vlefshme, veçanërisht në rastin kur ajo kërcënohet apo sfidohet.
Gjatë këtij takimi temë kryesore ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë.
Duke folur për situatën e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, kryeministri Kurti para të pranishmëve foli për sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në fshatin Bajnskë të Zveçanit në Republikën e Kosovës , ku mbeti i vrarë rreshteri policor tashmë hero Afrim Bunjaku.
Kryeministri Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, më 24 shtator tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut.
” Falë profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Kosovës ky skenar ka dështuar të realizohet, dhe është mbrojtur popullata civile, që në mëngjesin e 24 shtatorit është gjetur e rrethuar nga këta terroristë e kriminelë”, u shpreh kryeministri Kurti duke thënë se institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen çdo ditë që të ndërtojnë një shoqëri të sigurt, t’i forcojnë kapacitetet për ta mbrojtur vendin dhe qytetarët që jetojnë në shtetin e Kosovës.
Gjatë takimit u fol edhe për sfidat globale të sigurisë, ku kryeministri Kurti tha se në rrethana të tilla është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve më vlera demokratike për ballafaqimin me terrorizmin dhe krimin, të cilat cenojnë sigurinë e shteteve dhe popujve kudo në botë.
“Bashkimi i fuqive dhe kapaciteteve në këtë kohë sfiduese për sigurinë globale është goditja më e madhe ndaj atyre të cilët shkaktojnë destabilizim”, u shpreh Kryeministri.
Kurse zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, falënderoi kryeministrin e Republikës së Kosovës për fjalën e rastit në këtë trajnim. Po ashtu Jashari falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen e vazhdueshëm që i bënë Akademisë.
Më këtë rast drejtori Jashari u shpreh i gatshëm të ofroj trajnime për të gjitha institucionet e sigurisë publike në vend dhe më gjerë.
Jashari u shpreh i lumtur që Akademia arrin të organizojë trajnime edhe për zyrtarë ndërkombëtarë të cilët janë zyrtarë të sigurisë publike.
Ndryshe në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është duke u mbajtur trajnimi “Menaxhimi i situatave emergjente” ku janë duke marrë pjesë zyrtarë të sigurisë publike nga më shumë se dhjetë vende të ndryshme të botës.
Qëllimi i këtij trajnimi është diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë.
Në këtë trajnim i cili do të zgjasë dy javë, janë duke marrë pjesë zyrtarë të sigurisë publike nga Madagaskari, Mauritania, Sao Tome, Tuvalu, Senegal, Niger, , Eswatini, Siera Leone, Bangladeshi, Hondurasi, Malawi, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.