Kryeministri Kurti dhe kryesuesi i OSBE-së Osmani vizituan Akademinë
Vushtrri, 26 maj 2023 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, i cili njëheri është edhe ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e veriut.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Osmani vizituan kadetët e Policisë së Kosovës dhe ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët janë duke ndjekur trajnimin themelor për zyrtarë policor dhe zyrtarë korrektues.
Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe udhëheqësi i misionit të OSBE –së në Kosovë, Michael Davenport, ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë Shpresa Jusufi dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.
Kryeministri Kurti gjatë vizitës se kadetëve të gjeneratës se 58 të Policisë së Kosovës dhe gjeneratës se 43 të Shërbimit Korrektues të Kosovës, tha “Vizita në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është falenderim ndaj OSBE-së, stafit këtu dhe kadetëve të rinj”.
Gjatë vizitës në klasa, kryeministri Kurti pergëzoi kadetët për gatishmërinë e tyre që të inkuadrohen në institucionet e sigurisë publike, në mënyrë që t’i shërbejnë vendit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallime.
Po ashtu kryeministri Kurti, përgëzoi Akademinë për diversitetin e kadetëve, në mesin e të cilëve përfaqësohen të gjitha komunitetet e Kosovës.
“Vizituam tri klasë të ndryshme, ku kadetët e të dy gjinive dhe të të gjitha komuniteteve mësojnë dhe ushtrojnë bashkë, në mënyrë që bashkërisht t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, religjioni dhe prejardhjeje”, tha kryeministri Kurti,
Kryeministri Kurti deklaroi se kjo e arritur është përmes programit me komunitetet në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ekipi Ndërinstitucional i themeluar vitin e kaluar nga qeveria për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Ai tha se sundimi i ligjit, siguria, të drejtat e njeriut dhe demokracia, janë vlerat që bashkojnë Republikën e Kosovës dhe OSBE-në.
Ndersa, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, tha se ndihet i lumtur për vizitën e tij në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Osmani tha se me këtë vizitë po nderojnë të arritur të një bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe me Policinë e Kosovës.
Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani u shpreh i inkurajuar që pjesëmarrja e grave që kanë aplikuar në Policinë e Kosovës viteve të fundit është rritur deri në 18% , ndërsa në konkursin aktuale deri më tani kanë aplikuar mbi 180 qytetarë nga komunitetet jo shumicë.
“Jemi shumë krenar që bashkëpunimi i OSBE-së me institucionet e Kosovës ka sjellë këto rezultate”, tha Osmani duke përgezuar kadetët që kanë zgjedhur t’i bashkohen Policisë së Kosovës që të kujdesen për qytararët e vendit.
Gjithashtu, Osmani tha se vizita e tij në Kosovë në kapacitetin e kryetarit të radhës të OSBE-së për të shënuar produkte të suksesshme të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës, është pikërisht kjo Akademi për Siguri Publike, e cila plotëson të gjitha objektivat e OSBE-së.