Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në OSBE vizituan Akademinë

08.02.2023

Vushtrri, 07 shkurt 2023 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e  vizitoi një delegacion i ambasadorëve permanent të shteteve të QUINT-it në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë të Austrisë.

Delegacioni në fjalë u takuan më ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më zëvendësuesin e Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Kastriot Jashari, si dhe më drejtoret e institucioneve të sigurisë publike në Kosovë.


Qëllimi i vizitës së ambasadorëve të QUINT-it ishte që të njihen më për se afërmi mbi të arriturat e Akademisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoj lartë punën në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe në Policinë e Kosovës.


“Jam  i lumtur që takohemi në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e cila është ngritur dhe vazhdon të forcohet falë stafit, ndihmës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm nga aleatët tanë. Nga kjo akademi kanë ndalur ndër vite gjenerata të shumta të cilat falë dijes dhe përvojës që kanë fituar këtu, sot shërbejnë denjësisht dhe më  përkushtim në institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Sveçla. 

Ministri Sveçla, tha se prioriteti i Qeverisë së Kosovës është siguria për qytetarët e Kosovës, luftimin e korrupsionit,  kontrabandës dhe gjitha dukurive që cenojnë sigurinë e qytetarëve.


“Angazhohemi që këto prioritet të përbashkëta të realizohen që qytetarëve tanë t’ju ofrojmë mbrojte dhe siguri pa dallim etnie, moshe gjinie apo përkatësie fetare. Policia e Kosovës ka shënuar suksese të shumta në shkatërrimin e grupeve kriminale, luftimin e narkotikëve kontrabandës, trafikimin me qenie njerëzore  dhe në shumë aktivitet tjera”, tha ministri Sveçla.  
Ministri Sveçla e falënderoi  OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të sigurisë publike në Kosovë.



Edhe zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari,  u shpreh i lumtur që ambasadorët e shteteve të QUINT-it vizituan Akademinë. Jashari gjatë këtij takimi i njoftoi ambasadorët për misionin dhe të arriturat e Akademisë


“Akademia e Kosovës për Siguri Publike është një institucion që në bazë të legjislacionit në fuqi ofron trajnime dhe arsim të lartë dhe njëkohësisht organizon takime dhe aktivitete të ndryshme për të gjithë zbatuesit e ligjit në Kosovë”,  u shpreh Jashari.


Më këtë rast Jashari falënderoi  Qeverinë e Kosovës, ministrinë Sveçla, për mbështetjen në rrugëtimin e Akademisë. Drejtori, Jashari tha se falë bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare siç është OSBE-ja, Akademia sot ka arritur të jetë institucioni i vetëm i sigurisë i akredituar nga ndërkombëtaret.


“Çmimet na bëjnë më të motivuar që të vazhdojmë më objektivat tona, siç janë që trajnimet dhe arsimi i lartë të jenë sa më cilësor. OSBE është një nga partnerët tanë, kemi një bashkëpunim shumë korrekt, e falënderoi që po jap kontribut për vite me radhë me donacion dhe fusha tjera në sigurinë publike në Kosovë”, tha Jashari.  


Dejan Jankoviç, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Policinë e Kosovës, duke folur në emër të policisë tha se OSBE është partnere e pandashme me institucionet e sigurisë publike.
“Rruga drejtë krijimit të Policisë së Kosovës nuk ka qenë e lehtë, duke pasur parasysh kohën dhe mundësitë që kanë pasur vendet tona në atë kohë, por me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë,  në veçanti me kontributin e OSBE-së kemi arritur të krijojmë një institucion kredibil  policor më të gjitha kapacitet e nevojshme për përmbushjen e të gjitha obligimeve tona ligjore”, tha Jankoviç.

Jankoviç tha se Policia e Kosovës ka kryer me sukses  të gjitha detyrat e saja dhe ky sukses siç tha ai është fal bashkëpunimi dhe mbështetjes së vazhdueshme të OSBE-së.


Ndërsa, ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, duke u shprehur i lumtur për bashkëpunimin që ka OSBE më institucionet e sigurisë në Kosovë tha se Akademi ka arritur rezultate të shumta në rrugëtimin e saj.


“Akademia ka arritur që të  bëhet një institucion i suksesshëm i akredituar nga vendoret dhe ndërkombëtaret më të cilin OSBE-ja ka krenarinë që të gëzojë partneritetin e saj që nga themelimi”, tha Davenport.


Ambasadori Davenport tha se Akademia jep një kontribut shumë të vlefshëm në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike.  Ambasadori  u shpreh i lumtur që OSBE-ja ka përkrahur Akademinë dhe institucionet tjera në realizimin e aktiviteteve të tyre në fushën e sigurisë.


Ndryshe delegacioni i  ambasadorëve që ishte i përbërë nga  ambasadorja Christine Fages, përfaqësuese permanente e Francës në OSBE,  ambasadorja Gesa Bräutigam, përfaqësuese permanente e Gjermanisë në OSBE, ambasadori Stefano Baldi, përfaqësues permanent i Italisë në OSBE, ambasadori  Neil Bush, përfaqësues permanent i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE  dhe ambasadori Michael R. Carpenter, përfaqësues permanent i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE vizituan gjithë kampusin e Akademisë.