Përfaqësuesit nga Akademia morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Arsimi i sigurisë dhe arsimi në siguri”
Estoni, 01 dhjetor 2022 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është shembull për të mirë në rajon dhe Evropë se si realizohen projekte në mënyrë kaq të suksesshme, kështu u vlerësua në konferencën ndërkombëtare “Arsimi i sigurisë dhe arsimi në siguri”, e cila u mbajt në Tallinn të Estonisë.
Në këtë konferencë, e cila u organizua nga Akademia e Estonisë e Shkencave të Sigurisë, kanë marrë pjesë dy përfaqësues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike: Vilard Bytyqi, profesor në Fakultetin e Sigurisë Publike dhe Skender Agaj, zyrtar për marrëdhënie me jashtë.
Gjatë kësaj konference, në njërin sesion të së cilës u diskutua roli i arsimit në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkufitar, të pranishmit vlerësuan se Akademia e Kosovës për Siguri Publike si rezultat i punës në zbatimin e projekteve që i dedikohen arsimit dhe sigurisë, sot ofron trajnime dhe arsim cilësor.
Përfaqësuesit e Akademisë në konferencë janë paraqitur më temën “Përvoja e një partneri të jashtëm në zhvillimin e sigurisë së brendshme përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”. Në këtë prezantim u fol rreth përvojës që Akademia ka marrë gjatë të dyja projekteve të binjakëzimit të financuara nga BE-ja dhe të implementuara nga Estonia dhe Finlanda, projekte të cilat kishin për qëllim fuqizimin e arsimit në fushën e sigurisë publike.
Në kuadër të kësaj konference, përfaqësuesit nga Akademia, Bytyqi dhe Agaj, vizituan qendrën studimore të policisë në Paikuse, ku u njoftuan me pasqyrën e kurrikulave, modelin e arsimit të integruar dhe trajnimeve të përbashkëta, terrenet e trajnimit dhe metodologjitë përkatëse, bashkëpunimin me organizatat partnere etj.
Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga CEPOL-i, Finlanda, Gjermania, Holanda, Polonia etj.
Përndryshe, Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Sigurisë nga Estonia që nga 5 shtatori 2013, kur ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit reciprok.
Po ashtu të dyja institucionet bashkëpunojnë edhe nëpërmes programit Erasmus+, ku ka shkëmbim përvojash mes studentëve, mësimdhënësve dhe stafit administrativ nga Estonia dhe Kosova