Akademia dhe Fakulteti i Sigurisë në Maqedoninë e Veriut nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit
Prishtinë, 17 nëntor 2022 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Fakultetin e Sigurisë në Universitetin “St.Kliment Ohridski” Manastir në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshj u nënshkrua nga zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, dhe dekanit të Fakultetit të Sigurisë në Universitetin “St.Kliment Ohridski” Manastir në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski.
Qëllimi i marrëveshjes është vazhdimi i bashkëpunimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm në mes të dy institucioneve për të përkrahur objektivat e tyre strategjike në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit dhe zhvillimit si dhe në marrëdhëniet me publikun.
Zv/drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Kastriot Jashari, tha se nënshkrimi i marrëveshjes më Maqedoninë e Veriut është shumë i rëndësishëm për Akademinë dhe për çdo zyrtarë të sigurisë publike.
Jashari tha se Akademia është e gatshme të nënshkruaj çdo marrëveshje që ka të bëjë më përmirësimin dhe avancimin e zbatuesve të ligjit.
“Marrëveshjet hapin rrugë për bashkëpunim në fushën e trajnimeve që kanë për qëllim avancimin e gjithë atyre që merren më fushën e sigurisë”, tha Jashari.
Edhe dekani i Fakultetit të Sigurisë në Universitetin “St.Kliment Ohridski” Manastir në Maqedoninë e Veriut, Nikola Dujovski, tha se nënshkrimi i marrëveshjes është shumë i rëndësishëm sepse kontribuon në avancimin e institucioneve dhe zyrtarëve të sigurisë.
Dujovski e përgëzoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për zhvillimin e saj më hapa të sigurt.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes dy institucioneve të sigurisë përfshinë zhvillimin dhe bashkërendimin e arsimit në arsimin e lartë dhe arsimin e vazhdueshëm profesional; Lidhjet e hulumtimit, shkëmbimin e informatave dhe rezultateve, vizitat e personelit hulumtues dhe ofertat për financim të hulumtimit nga Bashkimi Evropian dhe agjencitë tjera ndërkombëtare në fushat e policimit, sigurisë së brendshme dhe zbatimit të ligjit; Shkëmbimin dhe vizitat e personelit për këshilla dhe bashkërendim të standardeve, kurseve dhe zhvillim të kurrikulës dhe çështje të tjera arsimore dhe pedagogjike; Përkrahjen e mentorimit, këshillimit dhe trajnimit për personelin akademik dhe administrativ.
Po ashtu në marrëveshje përfshihet edhe shkëmbimi akademik ndërmjet dy institucioneve do të inkurajohet brenda kornizës të marrëveshjes së përgjithshme dhe do të përdoret për hulumtim të mëtejmë dhe zhvillim të trajnimeve dhe studimeve në fushat e definuara të interesit të përbashkët.
Ndryshe në fazat fillestare të marrëveshjes së bashkëpunimit, personeli i të dy institucioneve do të përpiqet të identifikojë fushat e interesave të përbashkëta të hulumtimit dhe zhvillimit, përmes të cilave mund të rritet bashkëpunimi i detajuar në dobi të të dyja palëve. Kjo përfshin shkëmbimin e informatave të hulumtimit, e përcjellur nga delegacionet vizituese.