Përfaqësuesit e Akademisë morën pjesë në konferencën vjetore të INTERPA-së
Daka, Bangladesh, 14 shtator 2022 – Në konferencën e njëmbëdhjetë të organizuar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Akademive Policore (INTERPA) morën pjesë përfaqësuesit nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Avni Istrefi udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Rrahim Rexha drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme.
Qëllimi i konferencës ishte diskutimi rreth digjitalizimit në sistemin e arsimimit në fushën e sigurisë.
Po ashtu përfaqësuesit e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, e cila është anëtare e këtij Asociacioni, kanë marrë pjesë edhe në takimin e njëzetë e dytë të Bordit Ekzekutiv të INTERPA-së. Në ceremoninë e hapjes së kësaj konference, përveç anëtarëve të INTERPA-së, morën pjesë edhe kryeministrja e Qeverisë së Republikës Popullore të Bangladeshit Sheik Hasina, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Bangladeshit Asaduzzaman Kan dhe kryetari i INTERPA dhe Akademisë Kombëtare të Policisë Turke Yilmaz Çollak.
Në këtë Konferencë ku ishin pjesëmarrës të gjitha shtetet anëtare të Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA), përfaqësuesit e Akademisë prezantuan historikun, aktivitetet dhe sukseset e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Avni Istrefi, udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë, në prezantimin e tij gjatë konferencës ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Akademi, trajnimeve që mbahen për zyrtarët e sigurisë publike, për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Akademia në fushën e sigurisë publike.
Gjatë kësaj konference, në Asociacionin Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA) u anëtarësuan edhe katër shtete: Akademia Policore e Kroacisë, Shkolla e Lartë e Policisë “Gjenerali Alberto Enriquez Gallo”, Ekuador, Akademia Kombëtare e Policisë së Liberisë dhe Akademia Policore e Nigerisë.
Në darkën e organizuar nga INTERPA, përfaqësuesit e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Avni Istrefi udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Rrahim Rexha, drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, u takuan edhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Daka, Senegal, Guner Ureya. Gjatë takimit Ureya vlerësoi lartë punën në institucionet e sigurisë publike dhe të arriturat në Akademi.
Konferenca ka vazhduar me diskutime dhe prezantime me temën “Digjitalizimi i Policisë” me sesione panelesh mbi analizën e mediave sociale për punën e policisë, epokën e digjitalizimit të sistemit policor, ndikimin e përdorimit të rrjeteve sociale dhe tema të tjera të lidhura më fushën e sigurisë publike.