Në Akademi u mbajtën lojërat para sportive Kosova 2022

20.07.2022

Vushtrri,  17  korrik 2022 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajtën lojërat para sportive  Kosova 2022  për persona më aftësi të kufizuara, ku për dy ditë radhazi pjesëmarrësit do të garojnë në lojëra të ndryshme si ajo, hendboll, basketboll, pikado, futboll, shah, pingpong, vrapim me karrocë, shenjëtari etj. 

 

Mirëpo tash e tutje këta garuesit  nuk do të marrin pjesë në gara sportive vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj, pasi që tashmë Kosova  është anëtare  fuqiplotë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar. 

 

Për herë të parë Kosova do të jetë pjesë e Lojërave Paralimpike Paris 2024  dhe  pjesë e çdo aktiviteti tjetër evropian e botëror që organizohet nën patronatin e këtij komiteti.  

 

Në ceremoninë e hapjes së këtyre lojërave mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti.  Kryeministri Kurti në fillim të fjalimit të tij uroj të gjithëve për  pranimin e Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.   

 

“Nuk ka pasur vend më të mirë për këtë lajm të jashtëzakonshëm, por gjithashtu nuk ka pasur lajm më të mirë për këtë ngjarje e cila na bënë të gjithë neve krenarë. Pra aktiviteti i juaj vjetor që tregon gjallërinë dhe energjinë tuaj, talentin dhe konfirmon suksese që ua kemi lakmi të gjithë ne”, tha  kryeministri Kurti .  

Kryeministri Kurti tha se sportistët me aftësi të kufizuara të Kosovës, tash kanë mundësinë për të ëndërruar medaljen paralimpike, pasi që Kosova u bë anëtare fuqiplotë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar. Ai tha se sportistët me aftësi të kufizuara janë pra konfirmim i gjallë që e pamundshmja bëhet e mundur. 

 

“Në vitin 2024, siç e tha edhe presidentja Njomza Emini, do ta shënojmë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat paralimpike. E përgëzoj Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin e tyre drejt realizimit të këtij qëllimi madhor e të përbashkët”, tha  kryeministri Kurti.  

Kryeministri Kurti tha se ky sukses përveçse mundëson përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, më e rëndësishmja është që ka hapur dyert e shumta për mundësi të panumërta për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara përbrenda vendin tonë. 

 

Duke i ftuar  garuesit që të festojnë të arriturat e tyre, kryeministri Kurti kujtoje se me tre dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, viti 2022, u shpall – vit i personave me aftësi të kufizuara.  “Ndonëse puna për të siguruar garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është angazhim i yni i përhershëm, vitin 2022 e shpallëm vit të personave me aftësi të kufizuara, me qëllim që së bashku të punojmë më shumë dhe më mirë për siguruar gjithë përfshirje dhe mundësi për secilin”, u shpreh Kurti duke thënë se sporti është platforma më e mirë përmes së cilës festohet diversiteti dhe përqafohen dallimet.  

 

Kurse Njomza Emini, Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës,  duke  bërë hapjen e ceremonisë më lajmin që Kosova tashmë është anëtare fuqiplotë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtarë  i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit duke iu uruar gara të suksesshme. Emini tha se Komiteti Paralimpik i Kosovës do të punojë  në vazhdimësi në përkrahje të personave më aftësi të kufizuar.  

 

Po ashtu  garuesve iu dëshiroj suksese edhe  ambasador i EULEX-it në Kosovë  Lars-Gunnar Wigemark.  

Të pranishmit i përshëndeti  edhe  Ambasador i Organizatës për  Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë më mision në Kosovë  Michael Davenport. 

 

“Ditë e shkëlqyer për sportin Paralimpik në Kosovë . OSBE është e kënaqur të mbështesë lojërat para sportive   dhe të festojë arritjet e mahnitshme të atletëve. Urime Komitetit Paralimpik për ngjarjet frymëzuese dhe gjithëpërfshirëse në Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës”, tha ambasadori Davenport.  


Gjithashtu të pranishëm në këtë hapje ishin edhe  ambasadorja e Francës në Kosovë  Marie Christine-Bute,  ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barishi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Hajrulla Ceku, të cilët uran para sportistët për anëtarësimin e Kosovës në Komitetin Parlimpik Ndërkombëtarë  dhe në të njëjtën kohë iu dëshiruan suksese pjesëmarrësve në garat e tyre.   

 

Edhe  zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl  Dobra  iu dëshiroj suksese garuesve në lojërat para sportive në Kosova 2022.  

 “Ju jeni ata që me aftësitë dhe përkushtimin tuaj keni arritur që të ngritni nivelin e përfaqësimit shtetëror në sportet paralimpike duke na mundësuar në nivel shtetëror të marrim vendin e merituar në ndërkombëtarë”, u shpreh Dobra.  

 

Në hapjen e lojërave paralimpike Kosova 2022 ishte edhe zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovë për Siguri Publike Kastriot Jashari dhe përfaqësues  të personave me aftësi të kufizuara si  dhe sportdashës.

 

Ndryshe këto lojëra para sportive Kosova 2022 që u mbajtën dy ditë radhazi  janë  organizuara nga Komiteti Paralimpik i Kosovës i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, EULEX, KFOR-I Ambasada e Francës në Kosovë, etj.