Një delegacion nga Universiteti Policor Gjerman vizitoi Akademinë

28.04.2022

Vushtrri, 27 prill 2022 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot e vizitoi një grup studentësh nga Universiteti Policor Gjerman i udhëhequr nga Zëvendës Presidentin  i këtij universiteti Uwe Marquardt dhe  Dietmar Langrock nga Departamenti për Misionet e Policisë Ndërkombëtare të Ministrisë Federale të Brendshme dhe Komunitetit, të shoqëruar nga zyrtarë gjermanë të EULEX dhe UNMIK.


Delegacioni gjerman u prit nga Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Kastriot Jashari, me bashkëpunëtorë. Delegacioni u njoftua për historinë e themelimit dhe zhvillimit të AKSP-së si institucioni i vetëm publik për trajnimin dhe arsimin e zyrtarëve të sigurisë publike, pastaj për strukturën organizative, sfidat aktuale dhe planet për të ardhmen. 



“Është kënaqësi të mirëpres një delegacion të këtillë shumë të rëndësishëm nga Gjermania, një shtet mik i Kosovës dhe të ndaj me ju angazhimet e deritashme dhe idetë për të ardhmen, të cilat nuk do të realizoheshin po të mos kishim bashkëpunimin e thellë me institucionet e sigurisë publike të Kosovës dhe veçanërisht përkrahjen dhe ndihmën nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, si Brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, tha ndër të tjerash  Jashari.

Edhe Zëvendës Presidenti Marquardt shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në Akademi dhe i njoftoi të pranishmit për funksionimin dhe sfidat e Universitetit Policor Gjerman. Ai ndau edhe përvojën e tij që kishte qenë më përpara në Kosovë, duke u shprehur entuziast për tërë këtë zhvillim dhe avancim që ka arritur Akademia në veçanti dhe institucionet e sigurisë publike në përgjithësi. Kjo vizitë në Akademi u aranzhua nga Misioni OSBE-së në Kosovë ku i pranishëm ishte edhe Edward Anderson, Drejtor i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike, me bashkëpunëtorë.


Drejtori Anderson shprehu nivelin e lartë profesional dhe të përgjegjësisë që tashmë kanë arritur institucionet e sigurisë publike të Kosovës, duke shtuar se Akademia është një shembull i përkryer i avancimit dhe zhvillimit, tregimi i suksesshëm i të cilës duhet ndarë me të gjithë.

Mysafirët nga Gjermania patën rastin të vizitojnë hapësirat e Akademisë, duke përfshirë edhe ndërtesën e re të Fakultetit të sigurisë Publike dhe sistemin e Simulimit të Trajnimit me Armë Zjarri (FATS). Të dyja palet u pajtuan për një thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse nga Kosova dhe nga Gjermania.