Një delegacion nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin vizitoi Akademinë
Vushtrri, 16 dhjetor 2021 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Arton Berisha priti sot në takim një delegacion nga institucioni Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni ishte i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshëm e këtij institucioni Holta Komino e cila ishte e shoqëruar nga drejtori i MZSH-së për Tiranë Shkëlqim Goxhaj dhe drejtori i trajnimeve dhe mbështetjes logjistike Arben Cara.
Qëllim i kësaj vizite nga delegacioni në fjalë ishte njohja me modelin e arsimit në fushën e sigurisë konkretisht në menaxhimin emergjent në kohë krizash, siç janë zjarrfikja, tërmetet etj.
Fillimisht delegacioni nga Shqipëria u njoftua për misionin dhe zhvillimet e fundit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Gjatë këtij takimi, drejtori Berisha foli rreth trajnimeve profesionale të zyrtarëve të sigurisë publike si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Akademisë së Sigurisë Publike në Shqipëri, në fushën e trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike.
Drejtori Berisha vlerësoj se shkëmbimi i përvojave mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë publike është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur.
“Bashkëpunimet për zhvillimin e zyrtarëve të sigurisë publike është i mirëseardhur, ne si Akademi për trajnimin e zbatuesve të ligjit jemi të gatshëm që bashkëpunim në fushën e sigurisë publike të vazhdojë edhe më tutje”, u shpreh Berisha.
Ndërsa delegacioni nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin u interesuan kryesisht rreth metodave që ka Akademia për trajnimin dhe arsimimin e pjesëtarëve të sigurisë publike në menaxhimin emergjent, konkretisht zjarrfikje dhe shpëtim.
Delegacioni në fjalë vlerësoi se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është një shembull i mirë për arsimimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë. Njëkohësisht vlerësuan se shkëmbimi i përvojave më Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është shumë i rëndësishëm.
Në takim më delegacionin nga Shqipëria morën pjesë Hasan Kodra Drejtor i Departamentit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Agjencionin e Menaxhimit Emergjent, Nexhat Behrami Udhëheqës i Divizionit për Standarde Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në AME, Rrahim Rexha Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përbashkëta në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari Drejtor i Departamentit për Trajnime dhe Përkrahje Programore në Akademi dhe Avni Istrefi Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë po ashtu në Akademi.