Akademia e Kosovës për Siguri Publike ri akreditohet nga IADLEST me Çmimin e Ekselencës

05.11.2021

Vushtrri 05 nëntor 2021 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është ri akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fushën institucionale me çmimin më të lartë të ofruar ndonjëherë nga ky asociacion, Çmimin e Ekselencës.

 

AKSP pas fazës fillestare për ri akreditim, filloi procesin aplikues në pranverën e vitit 2020. Ngarkimi i dokumentacionit në platformën e ofruar nga IADLEST u përmbyll në fund të muajit mars 2021, me çfarë filluan përgatitjet për fazën inspektuese në terren nga ana e ekipit vlerësues të IADLEST. Vizita fakt-mbledhëse dhe inspektuese është bërë me datën 23 deri më 24 gusht 2021 në Akademi. Ekipi vlerësues i ekspertëve në përbërje të Mark Damitio, menaxher i akreditimit në IADLEST dhe Kelly Alzaharna, drejtoreshë Ekzekutive e Akademisë së Zbatimit të Ligjit në New Mexico të SHBA-ve, njëherësh kryesuese e Komitetit Akreditues në IALDEST, zhvilluan një mori takimesh në koordinim me Emin Ukën, Udhëheqës i Divizionit për Sigurimin e Cilësisë menaxher i Akreditimit në AKSP, nën udhëheqjen dhe menaxhimin e Arton Berishës, Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.  


Takimet u zhvilluan me stafin menaxhues, udhëheqës e trajnues në AKSP, duke verifikuar përputhshmërinë e politikave, proceseve dhe zbatueshmërinë e standardeve në kuadër të AKSP-së. Pas fazës inspektuese e fakt-mbledhëse, pasoi faza e rekomandimeve dhe e raportit preliminar të cilat, bazuar në rekomandimet e ekipit vlerësues, i hapën rrugën Komitetit Akreditues të IADLEST të marrë vendim për ri akreditimin e AKSP-së me njohjen më të lartë të ofruar ndonjëherë nga ky Asociacion, me Çmimin e Ekselencës  tejkaluar të priturat nga 80%, me një vlerësim prej 96.26% arritshmëri. 


Kjo njohje e radhit AKSP-në të dytën në botë pas ShBA-së, që njëherësh është treguesi parësor i përmbushjes së misionit të Akademisë si një Qendër e Ekselencës në rajon e më gjerë. 


“Në këtë aspekt, AKSP po i bashkohet një grupi elitar të përkushtuar për përsosmërinë në ofrimin e trajnimeve për sigurinë publike në mbarë botën. Politikat, procedurat, proceset, objektet dhe personeli i Akademisë pasqyrojnë faktin e të qenurit shembulli më i mirë i praktikave dhe standardeve në aspektin vendor dhe atë ndërkombëtar”,  kështu thuhet në njoftimin e akreditim të IADLEST. 


Ndryshe, mbetet që Akademia të sfidohet në përmirësimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe aplikimin e kësaj njohjeje për të gjithë ata që i qasen Akademisë së Kosovës për Siguri Publike duke zbatuar standarde dhe shembull për t’u ndjekur nga të tjerët.