Riakreditohet programi i studimeve bachelor në Akademi

02.08.2021Vushtrri, 02 gusht 2021 -  Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka marr vendim që të  riakreditojë programin e studimeve bachelor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike konkretisht në Fakultetin e Sigurisë Publike.

Vendimi është marrë  nga KSHC i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)  në mbledhjen e mbajtur më datën 27.07.2021.

Këshilli Shtetëror  i Cilësisë ka marrë vendim për të gjitha raportet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe në këtë mënyrë është krijuar mundësia për hapjen e konkurseve për pranimin e studentëve në vitin e ri akademik 2021/2022 në të gjitha institucionet dhe programet e akredituara në Republikën e Kosovës thuhet në vendim.


Vendimin për riakreditimin e programit studimor për periudhën tre vjeçare e ka mirëpritur Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha.

Berisha vlerësoi se riakreditimi i programit bachelor për siguri publike është një e arritur e madhe për Akademinë  dhe për gjithë zyrtarët e sigurisë publike.


Rreth vendimit ka folur edhe Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi i cili tha se vendimi në fjalë nga KSHC i AKA-së është një lajm i mirë për stafin akademik, studentë dhe për agjencionet e sigurisë publike.

“Ky vendim për riakreditim konfirmon edhe një herë nivelin dhe përkushtimin e stafit akademik, administratës dhe studentëve në përmbushjen më sukses të objektivave të përcaktuara. Andaj ky vendim le të shërbej si motiv për zgjerimin e horizontit të dijes dhe hulumtimit shkencor nga fusha e sigurisë për të arritur rezultatet që ne i synojmë”, u shpreh dekani Gashi