Anëtarët e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes vizituan Akademinë
Vushtrri , 22 qershor 2021 – Komisioni Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes i kryesuar nga Bekë Berisha kryetar i komisionit, sot vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Arton Berisha .
Qëllimi i vizitës ishte që të njihen me për se afërmi me punën dhe aktivitetet në Akademi.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha i informoj anëtarët e komisionit për aktivitetet, arritjet dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Akademia.
Duke folur para ligjvënësve drejtori Berisha vuri në pah zhvillimet e fundit në Akademi siç janë mbajtja e trajnimit bazikë të gjeneratës së 56 të Policisë së Kosovës si dhe procesin e
ri-akreditimit të programit të Fakultetit të Sigurisë Publike.
Duke folur rreth trajnimeve drejtori Berisha i informoi deputetet se në Akademi trajnohen pjesëtarë të sigurisë publike jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe nga vendet e rajonit.
Me këtë rast, delegacioni u informua edhe për bashkëpunimin që Akademia ka më të gjitha institucionet e sigurisë qofshin ato vendore apo ndërkombëtare.
Ndërsa deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës gjatë takimit vlerësuan se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është vend adekuat për të ofruar trajnime për pjesëtaret e sigurisë publike.
Deputetet u interesuan rreth zhvillimeve të trajnimeve në Akademi si dhe rreth procesit mësimor në Fakultetin e Sigurisë Publike që është në kuadër të Akademisë. Po ashtu gjatë kësaj vizite anëtarët e komisionit shtruan pyetje edhe rreth sjelljes së zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si dhe rreth instruktorëve që mbajnë trajnime në Akademi.
Në fund para anëtarëve të komisionit parlamentarë për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, kadetët demonstruan disa ushtrime të taktikave mbrojtëse.