Akademia nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi më Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë

01.02.2021

Vushtrri, 01 shkurt 2021 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike, sot  nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin  afatgjatë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve për të përkrahur objektivat e tyre strategjike në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit dhe zhvillimit, aktiviteteve studentore dhe programeve relevante për komunitetin.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Arton Berisha dhe nga rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë Alush Musaj.


Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes të dyja palët drejtori Berisha dhe rektori Musaj vlerësuan se kjo marrëveshje do të ndikoj  pozitivisht  në rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve Akademisë dhe Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Fushat më të cilat kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi dy institucionet në fjalë janë; Shkëmbimin akademik, përfshirë ligjëratat, ligjëratat ftuese nga profesorët vizitues, etj; Ofrimin e vlerësimeve të jashtme për aktivitetet e përzgjedhura akademike/ profesionale në AKSP dhe anasjelltas; Angazhimin e personelit në ligjërimin e lëndëve shkencore dhe në komisionet vlerësuese gjatë përzgjedhjes së personelit akademik sipas nevojës së palëve; Bashkëpunimin në zhvillimin e përbashkët të projekteve mes menaxhmentit dhe personelit akademik të institucioneve partnere; Bashkëpunimin në projekte ndërkombëtare si Erasmus+, Horizon 2020, IPA, HERAS, etj; Shkëmbimin e informacioneve shkencore dhe teknike sipas legjislacionit në fuqi; Zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve akademike dhe profesionale, përfshirë hulumtimin, trajnimet, punëtoritë, seminaret dhe konferencat; Bashkëpunimin në zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore Bachelor dhe Master dhe programeve të trajnimit që i shërbejnë komunitetit; Realizimin e programeve të përbashkëta hulumtuese nga studentët; Bashkëpunimi dhe këshillimi në zbatimin e platformave të reja elektronike për të përkrahur proceset e mësimit dhe trajnimit, duke përfshirë E-learning dhe teknologjitë tjera inovative të të mësuarit etj.