AKSP nënshkroi marrëveshje të bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës (ABEK)

12.10.2020

Vushtrri, 9 tetor 2020 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot nënshkroi marrëveshje të bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës (ABEK). Marrëveshjet të cilat u nënshkruan sot në hapësirat e AKSP-së në Vushtrri nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi,  nga Drejtori i BKK-së Fazli Gajraku dhe Koordinatorja e ABEK-ut Bukurije Halitit kanë për qëllim bashkëpunimin në mes të këtyre institucioneve për të përkrahur dhe realizuar interesat e përbashkëta në fushëveprimtarit përkatëse dhe për të thelluar marrëdhëniet nëpërmjet tyre në funksion të zhvillimit ndër-institucional.
 
Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në mes të AKSP-së dhe BKK-së, ndër të tjerash bashkëpunimi do të fokusohet në mbështetjen dhe përkrahjen reciproke në kuadër të: forcimit të marrëdhënieve institucionale, shfrytëzimit të resurseve të institucioneve me interes të përbashkët, hulumtimit/kërkimit, bashkëpunimit në organizimin e konferencave, seminareve, ekspozitave, panaireve, promovimeve të botimeve të rëndësishme të autorëve, përfshirjes në projekte të mundshme të përbashkëta, zbatimit të shërbimeve të specializuara për të drejtën e autorit, qasjes dhe ofrimit të shërbimeve të referencave për studentët, stafin akademik dhe stafin profesional të Akademisë, duke përfshirë këtu informacionin për koleksionet Bibliotekës (qasje në mbi 700 mijë tituj), mbi katalogun elektronik dhe manual, mënyrat e hulumtimit, etj.
 
Përderisa në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në mes të AKSP-së dhe ABEK-ut, qëllimi i kësaj marrëveshje është anëtarësimi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Asociacionin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës dhe shfrytëzimi i burimeve dhe materialeve elektronike të nevojshme për nevojat e Akademisë. Anëtarësimi i AKSP-së në ABEK ofron mundësinë e shfrytëzimit të burimeve elektronike të cilat sigurohen nga ABEK përmes EIFL (“Electronic Information for Libraries”, apo në përkthim “Informatat Elektronike për Bibliotekat”).
 
Gjatë diskutimeve të përbashkëta në takim, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së duke vlerësuar lartë rëndësinë e këtyre marrëveshjeve të arritura, shtoi po ashtu se për studentët, stafin akademik dhe profesional të AKSP-së tashmë po iu mundësohet dhe ofrohet një gamë e madhe e mundësive për të pasur qasje në shërbimet që i ofrojnë BKK dhe ABEK e që do të jen një mbështetje e madhe në ngritjen dhe zgjerimin e njohurive dhe kapaciteteve intelektuale të tyre. Ndërsa, ndër të tjerash, në diskutimin e përbashkët u theksua po ashtu se marrëveshjet e tilla janë më se të nevojshme, me ç’rast me rastin e konkretizimit të këtyre marrëveshjeve ne do të jemi në gjendje të zhvillojmë dhe përkrahim njëra tjetrën dhe të i zgjerojmë kapacitetet tona institucionale dhe intelektuale (akademike dhe shkencore).
 
Në kuadër të agjendës u zhvillua një vizitë në hapësirat e Akademisë, ku delegacioni i BKK-së dhe ABEK-ut patën rastin të vizitojnë kampusin e Akademisë, u njoftuan më për së afërmi me punën, stafin dhe të arriturat e Akademisë si dhe vizioni për të ardhmen e saj.