Akademia nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi edhe me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë
Vushtrri, 01 tetor 2020 – Në vazhdën e bashkëpunimeve më institucionet vendore dhe ndërkombëtare, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi edhe me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Marrëveshja e cila u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi dhe Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë Blerim Olluri, ka për qëllim bashkëpunimin në mes të dy institucioneve për të përkrahur dhe realizuar interesat e përbashkëta në fushën e trajnimit, studimit, hulumtimit dhe zhvillimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Forenzikës Blerim Olluri gjatë nënshkrimit vlerësuan se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit përmes secilës do të lehtësohen procedurat e trajnimit, studimit, hulumtimit dhe zhvillimit në përfshirjen në projekte të mundshme të përbashkëta, etj.
Po ashtu në kuadër të agjendës u zhvillua një vizitë në hapësirat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ku delegacioni i AKSP-së u njoftua më për së afërmi me punën, stafin dhe të arriturat e Forenzikës. Kryeshefi Ekzekutiv Blerim Olluri bëri një prezantim rreth funksionimit të agjencisë ku vuri në pah qëllimin e tyre drejt ngritjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm, sigurimit të cilësisë dhe arritjeve të standardeve më të larta ndërkombëtare përmes proceseve periodike të akreditimeve në kuadër të fushë veprimtarisë së forenzikës.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi, vlerësoi lartë punën e agjencisë dhe shprehi mirënjohje për punën shkencore dhe të arriturat e AKF-së si institucion kredibil dhe i barasvlershëm me institucionet tjera ndërkombëtare në fushën e forenzikës. Smakiqi e theksoi rëndësinë shumë të madhe që kanë njohjet respektivisht akreditimet e vazhdueshme vendore dhe ndërkombëtare institucionale dhe të proceseve të punës e të dyja institucioneve të cilat kanë arritur standardet më të larta ndërkombëtare në kuadër të fushë veprimtarive respektive.