Në Akademi u mbajt takimi i radhës i Bordit të AKSP-së
Vushtrri, 27 korrik 2020 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot Bordi mbajti takimin e 33- të radhës, ku u diskutua lidhur me mënyrën dhe procesin e pranimit të studentëve në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi për vitin e ri akademikë 2020/2021.
Të pranishëm në këtë takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaçi njëherit edhe kryesuesi i bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hoda, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra, Drejtori i Drejtorisë së Administratës në Shërbimit Sprovues të Kosovës Arsim Tahiri, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Edward T. Anderson, zyrtari i lartë nga kjo organizatë Bylent Ribari si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet përkatëse.
Me kërkesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, për ndarjen e kuotave për Institucionet e Sigurisë Publike në studimet themelore bachelor për vitin akademik 2020-2021 në Fakultetin e Sigurisë Publike në Akademi, Bordi i AKSP-së morri vendim për ndarjen edhe të 8 vendeve për student nga kjo agjenci. Tani numri i përgjithshëm i studentëve të cilët do të pranohen në Akademi do të jetë 65.
Në pikën e dytë të rendit të ditës u diskutua për mënyrën dhe procesin e pranimit të studentëve në FSP/AKSP. Në takimin e fundit të Bordit të AKSP, anëtarët e Bordit kërkuan shqyrtimin e mundësisë të ndryshimit të procedurës për pranimin e studentëve në FSP. Kërkesa e drejtueseve të Agjencive të Sigurisë Publike për ndryshimit të procedurës për pranimin e studentëve në FSP ka të bëjë me planifikimet dhe objektivat strategjike të ngritjes së kapaciteteve të Agjencive të Sigurisë Publike, përmes regjistrimit të studentëve në FSP.
Drejtori i AKSP-së Ismail Smakiqi tha se Akademia edhe më herët ka shpreh gatishmëri për pranimin e studentëve në përputhje me nevojat, gjegjësisht planifikimeve të ngritjes të kapaciteteve të agjencive. Drejtori Smakiqi po ashtu njoftoi Bordin për fillimin e punës të grupit punues për rishikimin e standardeve të profesionit për Agjencitë e Sigurisë Publike gjegjësisht procesin e ri akreditimit të Akademisë dhe validimit të programeve profesionale, nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.