Rifilloj trajnimi profesional "Polic i Ri” mësimi vijon online

07.07.2020

Vushtrri, 06 korrik 2020 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike rifilloj vazhdimi i trajnimit profesional "Polic i ri", mësimi vijon online përmes platformës së mësimit në distance E-trajnimi


Ashtu siç është i njoftuar opinioni, trajnimi profesional “Polic i Ri” i gjeneratës së 55-të në AKSP ka filluar më 11.11.2019, kurse është ndërprerë më datën 12.03.2020, në javën e 18 të trajnimit, me  Vendimin nr.01/07 te datës 11.03.2020 të Qeverisë të Republikës së Kosovës.


Në analogji me institucionet tjera arsimore në Republikën e Kosovës, mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë Publike kanë vazhduar të zhvillojnë mësimin nga distanca. Vazhdimi i procesit arsimor në Fakultetin e Sigurisë Publike, për 215 studentë të rregullt të këtij fakulteti, do të jetë i njëjti me vazhdimin e procesit arsimor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Tani për tani do të vazhdohet me mësim nga distanca.


Çështja e vazhdimit të trajnimit profesional “Polic i Ri” i gjeneratës së 55-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, në rrethanat e pandemisë, ka qen preokupimi kryesor i AKSP-së dhe PK-së.


“Gjithnjë në përputhje me rrethanat e zhvillimit të pandemisë, me shpresën e mundësisë së rikthimit gjegjësisht vazhdimit të trajnimit në Akademi, personeli udhëheqës i Akademisë dhe kolegët e Drejtorisë së Trajnimeve të Policisë së Kosovës kemi trajtuar disa opsione për vazhdimin e programit profesional të ndërprerë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi.


Në përputhje me manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19, qershor 2020, të Ministrisë së Shëndetësisë gjegjësisht Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, i cili obligon institucionet të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual dhe i cili rrjedhimisht pamundëson rikthimin e nxënëseve dhe studentëve në vazhdimin e procesit edukativo-arsimor në objektet shkollore dhe me qëllim të vazhdimit të trajnimit profesional të kadetëve të gjeneratës së 55-së të Policisë së Kosovës, Akademia e Kosovë për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës janë pajtuar për: Realizimin e trajnimit profesional "Polic i ri" online përmes platformës së mësimit në distance E-trajnimi.


Drejtori Smakiqi tha se trajnimi realizohet bazuar në dokumentin “Plani për realizimin e trajnimit profesional "Polic i ri" online përmes platformës së mësimit në distance E-trajnimi” i cili është përgatitur nga Akademia dhe Drejtoria e Trajnimeve të Policisë së Kosovës. 


“Një punë e shkëlqyeshme është bërë nga Divizioni i Teknologjisë Informative të AKSP-së, e cila ka aktivizuar sistemit MOODLE, i cili përdoret në pjesën dërmuese të institucioneve të ngjashme ndërkombëtare për mësim online, duka përfshirë trajnimin e instruktorëve për përdorimin e sistemit MOODLE.  Sot, më datën 06.07.2020, pas testimit një orësh, ka filluar të zhvillohet trajnimi online, me ç ‘rast instruktorët nga klasat e tyre mbajnë leksionet (pjesën teorike)”, u shpreh Smakiqi.


Akademia dhe Drejtoria e Trajnimeve të Policisë së Kosovës janë duke punuar për krijimin e kushteve për vazhdimin e pjesës praktike në Akademi në grupe më të vogla të kadetëve, gjithnjë në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore.