Në Akademi u mbajt konferenca “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”
Vushtrri, 24 janar 2020 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt konferenca e shtatë ndërkombëtare, “Sfidat e mobilitetit të transportit dhe siguria publike”, e organizuar nga Kolegji “Tempulli” në bashkëpunim më Akademinë ku gjatë kësaj konference janë prezantuar disa hulumtime shkencore rreth sigurisë publike, sigurisë në rrugë.
Në konferencë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, Drejtori i Kolegjit “Tempulli” Muhamed Krasniqi, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, përfaqësues të institucioneve tjera të sigurisë në vend si dhe studentë nga Kolegji “Tempulli” dhe Fakulteti i Sigurisë Publike.
Ismail Smakiqi Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike u shpreh i lumtur që Akademia është bashkorganizatore e një konference kaq të rëndësishme.
Smakiqi tha se Akademia është institucion që ofron trajnime dhe arsimim të lartë për të gjithë zbatuesit e ligjit. “Të gjitha agjencionet e sigurisë publike kryejnë trajnime dhe arsim të lartë në këtë Akademi”, u shpreh Smakiqi duke thënë që Akademia ka bërë përpjekje të madhe që të krijoj programe profesionale mësimore që janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
“Ne kemi akreditim dhe ri/akreditim të programeve studimore. Po ashtu akreditim bazuar në standarde evropiane të cilat ju mundëson studentëve dhe kadetëve të gjashtë agjencioneve të kryejnë trajnime në Akademi”, tha Smakiqi .
Smakiqi u shpreh se sfida e sigurisë në trafik ka nevojë për vëmendje të shtuar të institucioneve dhe të qytetarëve.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, tha se “kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju drejtohem sot me një fjalë rasti, në hapjen e punimeve të Konferencës së 7-të Shkencore Ndërkombëtare”. Ai tha se në këtë konferencë subjekt kryesor është sfida e mobilitetit dhe siguria publike, duke gërshetuar dy fusha me rendësi te veçantë: sigurinë rrugore në kuadër të mobilitetit urban dhe sigurinë publike në përgjithësi.
Më tej Gashi tha se “jetojmë në një botë në ndryshim në të cilën edhe sfidat e njerëzimit vijnë duke ndryshuar, por siguria publike në përgjithësi dhe ajo rrugore në veçanti, vazhdon të mbetet ndër problemet kryesore për institucionet shtetërore dhe të gjithë shoqërinë tonë”.
Dekani Gashi ne fund tha se duke parë rëndësinë e temave që do të trajtohen, shfrytëzoj nga rasti të shpreh mirënjohjen time për të gjithë penalistët e kësaj konference, të cilët përmes punimeve të tyre do të bëjnë që kjo konferencë të përmbushë objektivat e përcaktuara.
Ndërsa, drejtori i Kolegjit “Tempulli” Muhamed Krasniqi duke përshëndetur të pranishmit tha se është nder që kjo konferencë mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Ai tha se kjo konferencë synon të sjellë zhvillimet me të fundit me temat e sotme të cilat janë gjithsej trembëdhjetë të cilat janë leksione kryesore, publikime prezantime nga profesorët e ndryshëm të institucioneve të ndryshme si dhe student. “Derisa sa sot bota përballet me shume sfida ne duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor si nevojë për të promovuar një bashkëpunim të tillë brenda këtij profesioni dhe në zbatimin e njohurive të reja”, tha Krasniqi.
Më tej ai shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe në inxhinieri lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe promovon aplikime te reja teknologjike për një të ardhme më të sigurte dhe mirëqenie për ti mbështetur qëndrueshmërinë e jetës njerëzore. Në përputhje me vizionin dhe misionin e ri të Kolegjit Tempulli Kjo konferencë ndërkombëtare është edhe një përpjekje më shumë për të bërë vizionin tonë të vërtetë, përfundoi Krasniqi.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhefer Tahiri duke ju drejtuar të pranishmëve tha se është kënaqësi që në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë si nikoqirë edhe i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike të ju dëshiroj mirëseardhje në qytetin e lashtë të Vushtrrisë. Duke folur për rezultatet shkencore që dalin nga kjo konferencë ai tha se do të ndihmojnë në politike bërjen që vërtetë përmes studimeve konkrete të rrisin sigurinë e pjesëmarrësve në trofikë.
Ndryshe gjatë kësaj konference u tha se gjatë vitit 2019 kanë ndodhur 16 mijë e 199 aksidente ku kanë humbur jetën 113 persona në këto aksidente.