Një delegacion nga Universiteti Policor Gjerman vizitoi Akademinë
Vushtrri, 23 tetor 2019 – Një delegacion nga Universiteti Policor Gjerman (UPGj) me seli në Münster të Gjermanisë, sot vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).
Delegacioni i cili ishte i udhëhequr nga Michael Rauschenbach Drejtor i Kriminalistike, u takuan me Dekanin e Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, Drejtorin e Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme Rrahim Rexha, Drejtorin e Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore Shpend Shabani dhe Shpresa Muharremin këshilltare nga OSBE-ja.
Në vazhdën e temave të shumta që u diskutuan ishte edhe forcimi i bashkëpunimit mes Akademisë së Kosovës së Sigurisë Publike dhe Universitetit Policor Gjerman.
Fillimisht delegacioni nga Münsteri i Gjermanisë u njoftuan për misioni dhe vizionin për zhvillimet e fundit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike si dhe për zhvillimet në Fakultetin e Sigurisë Publike.
Para delegacionit u bë një prezantim rreth veprimtarisë së Akademisë, duke e informuar delegacionin me historikun, fazat të cilat ka kaluar AKSP-ja që nga themelimi e deri me tani.
Po ashtu delegacioni u informua edhe për trajnimet që mbahen në Akademi nga ato bazike e deri te ato të specializuara.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, fillimisht e falënderoi delegacionin gjerman për vizitën në Akademi. Gashi gjatë takimit foli për zhvillimin e programit studimor në Fakultetin e Sigurisë Publike.
“Programi studimor i Fakultetit të Sigurisë Publike është zhvilluar përmes projektit të binjakëzimit, qëllimi i të cilit ishte ‘Përmirësimi i arsimit në sektorët e rendit dhe sigurisë publike’, në bashkëpunim me Estonin dhe Finlandën. Në hartimin e këtij projekti janë analizuar përvojat e këtyre dy shteteve, në arsimin e sigurisë publike, dhe është zhvilluar modeli më i mirë për AKSP-në”, u shpreh Gashi duke thënë se programi i studimit është i hartuar sipas nevojave të institucioneve të sigurisë publike.
Dekani Gashi tha se programi studimor në Fakultetin e Sigurisë Publike është program i arritjes së njohurive dhe aftësive në përputhje me kompetencat e nevojshme për punë profesionale të zbatuesve të ligjit në vendet e tyre të punës.
“Angazhimi i ekspertëve konsulentë nga Evropa i bën programet studimore të AKSP-së të standardeve evropiane”, tha Gashi.
Në fund Gashi u shpreh i gatshëm që bashkëpunimi më Universitetin Policor Gjerman të vazhdoj edhe më tutje.
Ndërsa delegacioni nga Universiteti Policor Gjerman shprehen interesimin e tyre lidhur me trajnimin e pjesëtareve të sigurisë e në veçanti të Policisë së Kosovës, mënyrën e përzgjedhjes së kadetëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjithashtu delegacioni u interesua edhe për zhvillimin e plan programit mësimor në Fakultetin e Sigurisë Publike. Ndërkaq duke folur rreth bashkëpunimit ata theksuan se ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në fund, delegacioni vizitoi objektet përcjellëse, ku përmes prezantimeve u informuan me pjesën praktike ku pjesëtarët e sigurisë publike kryejnë trajnimet.