Akademia është pranuar anëtare me të drejtë vote në FRANCOPOL

11.09.2019

Vushtrri, 11 shtator 2019 - Rrjeti Ndërkombëtar Frankofon i Trajnimit Policor (FRANCOPOL), ka pranuar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) si anëtare me të drejtë vote. 

Anëtarësimi në FRANCOPOL mundëson që t’i lejohet stafit nga organizatat anëtare të kontribuojnë në zhvillimin e praktikave policore duke ndërvepruar me kolegët ndërkombëtarë, veçanërisht përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Anëtarët e këtij rrjeti mund të marrin pjesë në aktivitete, në komitete teknike, të kenë qasje në platformën e bashkëpunimit në internet të quajtur ndërlidhja e FRANCOPOL për Informata dhe Njohuri (CFIS) dhe të dërgojnë kërkesa për bashkëpunim në një temë specifike me interes të të gjithë anëtarëve.

Përpjekjet e AKSP-së për të qenë anëtare e këtij rrjeti datojnë që nga fundi i muajit korrik të vitit 2018, ku institucioni ynë është udhëzuar dhe përkrahur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Republikës së Kosovës që të aplikojë për tu anëtarësuar në FRANCOPOL.

Përveç Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar Frankofon të Trajnimit Policor (FRANCOPOL) janë edhe 38 institucione apo organizata në 11 vende anekënd botës: Benini, Belgjika, Burkina Faso, Burundi, Kameruni, Kanada, Spanja, Franca, Luksemburgu, Monako dhe Zvicra. Përndryshe, Republika e Kosovës tashmë është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e cila aktualisht numëron 61 shtete dhe qeveri anëtare dhe 27 vëzhgues.