Në seminarin në Oranienburg të Gjermanisë morën pjesë 14 zyrtarë nga Kosova
Vushtrri, 01 korrik 2019 - Një delegacion i përbërë nga zyrtarët e lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), duke përfshirë edhe stafin akademik tw Fakultetit të Sigurisë Publike pranë Akademisë dhe ligjërues të angazhuar nga Policia e Kosovës si nga pjesa e trajnimeve profesionale, ashtu edhe nga ajo e studimeve të larta, morën pjesë në seminarin “Sjellja në situata të jashtëzakonshme”.
Seminari në fjalë u mbajt nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Policisë së Shtetit të Brandenburgut në Oranienburg të Gjermanisë, në kuadër të bashkëpunimit që ka AKSP me këtë institucion përmes programit Erasmus+, përkatësisht përmes Mobilitetit Ndërkombëtar të Kredive (ICM) të këtij programi.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi të AKSP-së me këtë Universitet nga Gjermania, bazuar në financimin përmes programit Erasmus+, është arritur që përveç 14 zyrtarëve në fjalë, të dërgohen në të njëjtin seminar edhe 35 zyrtarë të tjerë të Policisë së Kosovës, qoftë studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike të AKSP-së, apo edhe zyrtarë policorë të ndërlidhur me sistemin e trajnimit dhe arsimit në kuadër të Akademisë.