Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt ceremonia e përfundimit të pjesës teorike të programit profesional për 16 kadetët e Inspektoratit Policor të Kosovës

30.04.2019

Vushtrri, 30 prill 2019 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot gjashtëmbëdhjetë kadetët përfunduan pjesës teorike të programit profesional për Inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës. 


Në këtë ceremoninë morën pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme  Ekrem Mustafa, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi,  Kryeshefja  Ekzekutive  e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi,  Kimberly Riffle, Menaxhere e Programit të ICITAP –it në Kosovë si dhe Shpresa Muharremi përfaqësues e OSBE-së në Akademi.


Ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa tha se ndjen kënaqësinë që merr pjesë në këtë ceremoni të diplomimit inspektorëve të ri të Kosovës.  Ai  përgëzoi  për punën që po bën Akademia e Kosovës për Siguri Publike në sferën e trajnimeve dhe përgatitjes  së lartë profesionale jo vetëm për inspektorët e rinj por edhe për policët e rinj. 


“Jam këtu për t’iu thënë se vullneti im dhe ndihma ime si ministër nuk do të mungojë asnjëherë sidomos kur kemi të bëjmë me një institucion të rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës siç është Inspektorati Policor i Kosovës. Në këtë rast mbikëqyrja dhe kontrolli policor nga njerëz kompetent, të pajisur me dije adekuate profesionale dhe më avancime shkencore ndikon në tërësi në kontrollin dhe balancën mes pushteteve gjegjësisht mes shumë institucioneve shtetërore”, tha Mustafa. 


Gjithashtu me këtë rast  ai përgëzoi edhe stafin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe specialistët nga vendi dhe nga organizatat perëndimore që po kontribuojnë çdo ditë e më shumë që të arrihen  standardet evropiane në fushën e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit. 

“Ashtu siç keni qenë të suksesshëm në pjesën teorike në fund uroj që t’ia dilni me rezultate pozitive edhe në pjesën praktike gjatë punës në terren”, përfundoi fjalën e tij ministri Mustafa.


Kurse, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi vlerësoi se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për Akademinë dhe vendin në përgjithësi. 


“Kjo ceremoni renditet në ngjarjen e radhës e cila shënon historinë e Akademisë dhe të Sigurisë Publike në Kosovë në përgjithësi, për arsye se 16 kadetët e Inspektoratit Policor të Kosovës, të parët kanë filluar të ndjekin një program profesional të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, të parët po përfundojnë pjesën teorike të këtij programit dhe të parët do të certifikohen në profesionin e tyre me një program të akredituar”,  u shpreh Smakiqi duke thënë se Akademia ka bërë  dhe është duke bërë punë mjaftë të madhe  për trajnimin e pjesëtarëve të fushës së sigurisë.


“Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe shumë punë që nga dita e fillimit të krijimit të programeve profesionale, validimin e këtyre programeve dhe akreditimin e Akademisë nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. Në muajin prill të vitit 2018, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve ka akredituar Akademinë dhe ka validuar programet profesionale; ‘Polic i Ri’, ‘Inspektor i IPK’, ‘Zyrtar Doganor’, ‘Zyrtar Korrektues dhe Zyrtar Sporovues’, kurse nga muaji prill i këtij viti është validuar edhe programi profesional Zjarrfikës”, tha Smakiqi.


Më këtë rast drejtori Smakiqi foli edhe për trajnimet tjera që janë duke u mbajtur aktualisht në Akademi si  trajnimi bazik i kadetëve të Policisë së Kosovës, kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, trajnimi “Shkolla për stafin policor dhe komandues”, etj. 

 

“Aktualisht në Akademi trajnohen ose ndjekin mësime më shumë se 800 kadet,  pjesëmarrës në trajnime ose student”, tha Smakiqi.


“Një veçori e këtij trajnimi është se Akademia dhe Inspektorati Policor i Kosovës përmes këtij programi kanë jetësuar praktikisht misionin e Akademisë, të përcaktuar me Ligjin e AKSP-së, i cili përcakton Akademinë institucion përgjegjës për zhvillimin e trajnimeve dhe jo vetëm”, u shpreh Smakiqi .


Drejtori Smakiqi i ka uruar kadetët për të arriturat e tyre gjatë trajnimit dhe suksese në punë. 


Ndërkaq Kryeshefja Ekekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi tha se ky moment është shumë i rëndësishëm pasi që trajnimi dhe certifikimi i tyre kadetëve bëhet në bazë të programeve të validuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. 


“Rruga për të arritur deri  në këtë moment ka qenë e vështirë dhe plotë sfida. Duke shpresuar se keni arritur të absorboni tërë potencialin e nevojshëm për ushtrimin e aktivitetit ligjor, vlerësojmë së sfidat e ardhshme në karrierën tuaj do t’i tejkaloni me një përkushtim dhe profesionalizëm, në arritjen më sukses të misionit të rëndësishëm të përcaktuar me ligj. Qytetarët e Republikës së Kosovës presin që me punën tonë të kontribuojmë në drejtim të sigurimit të një policie të përgjegjshme, demokratike dhe profesionale, që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut. Ju duhet të jeni shembull i sjelljes, disiplinës dhe përkushtimit, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, jo vetëm këtu, jo vetëm në punë, por kudo që jeni dhe gjatë gjithë kohës”, tha Kelmendi duke vlerësuar se Inspektoratit Policor i Kosovës do të pasurohet edhe me tutje më përkushtimin dhe profesionalizmin e inspektorëve të rinj.  


Ndërsa  Kimberly  Riffle menaxhere e programit të ICITAP-it  tha se duhet te merrni punën  seriozisht, t’i shërbeni vendit  me nder dhe ti kryeni  detyrat  me integritet të  lartë dhe të përmirësoni punën në shtetin tuaj. 

“Kemi nderin të ndajmë sukseset tuaja sot nesër dhe në të ardhmen  me ju,  profesioni juaj është më rëndësi të lartë që të siguroni se zbatimi i ligjit duhet të bëhet me standarde të larta”, përfundoi  Kimberly.


Në emër të gjeneratës të kadetëve të Inspektoratit Policor të Kosovës, të pranishmit i përshëndeti kadeti Hazer Mallaku. Mallaku falënderoi të gjitha institucionet të cilat kanë kontribuar për përfundimin me suksese të pjesës teorike të programit profesional për inspektor të Inspektoratit Policor të Kosovës; Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, instruktorët e IPK-së, ekspertët e angazhuar nga agjencitë e ndryshme si dhe ekspertët nga OSBE, Agjencia Kundër Korrupsionit, Prokuroria e Shtetit, Gjykata Themelore e Prishtinës.