Bordi i Akademisë mbajti takimin e radhës

12.03.2019

Vushtrri,  11 mars, 2019- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u mbajt takimi i njëzet e shtati i radhës i Bordit të Akademisë dhe i pari për këtë vit. 

Të pranishëm në këtë takim ishin: Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës Bajram Bujupi  njëherit  edhe kryesues i Bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj,  Kryeshefja Ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi,  Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës  Bahri Berisha,  Drejtori i Përgjithshëm i  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Nehat Thaqi,  Drejtor i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi. Në takim morën pjesë përfaqësuesit e partnerëve të përhershëm të AKSP-së Shpresa Muharremi nga OSBE dhe Remzije Ibrahimi nga ICITAP-i si dhe zyrtarë të lartë nga institucionet  përkatëse.

Fillimisht kryesuesi i Bordit të Akademisë Bajram Bujupi  përshëndeti të pranishmit e më pas kërkoi nga ta që të miratojnë rendin e ditës për këtë takim.

Në pikën e parë të rendit të ditës, Bordi aprovoi Planit vjetor të punës së Bordit për vitin 2019.
Qëllimi i këtij plani vjetor është përcaktimi i hapave kryesore të cilët i ndërmerr Bordi gjatë vitit 2019 me qëllim të kryerjes së përgjegjësive të veta në mënyrë që nëpërmes vendosjes së standardeve dhe politikave të trajnimit dhe edukimit, pjesëtarët e institucioneve të sigurisë publike  të jenë sa më të përgatitura në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve ndërkombëtare të pranuara, që t’u bëjnë ballë të gjitha sfidave në fushën e sigurisë publike.

Gjatë takimit të Bordit Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së Ismail Smakiqi shpalosi Raportin Vjetor 2018, me ç' rast tha:

“AKSP-ja tash e sa vite është duke punuar me përkushtimin drejtë krijimit të një ambienti edukativo –arsimor me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale për zbatuesit e ligjit. Të arriturat e periudhës raportuese janë si rezultat i punës së stafit të Akademisë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre qoftë individual apo grupor, në kryerjen me përgjegjësi dhe profesionalizëm të plotë të detyrave të punës dhe njëkohësisht duke falënderuar për punën dhe bashkëpunimin e Institucioneve të Sigurisë Publike dhe organizatave ndërkombëtare si ICITAP, OSBE dhe Projektin e Binjakëzimit të cilat na kanë mbështetur në arritjen e sukseseve tona“.

Viti 2018 për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ishte vit i shkëlqyeshëm. Gjatë këtij viti pas një procesi të gjatë të vlerësimeve nga ekipet e ekspertëve të Agjencive kombëtare dhe ndërkombëtare, Akademia fitoi akreditim kombëtar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe akreditim ndërkombëtar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke komentuar të arriturat e Akademisë, anëtarët e Bordit shprehën kënaqësinë për arritjet e Akademisë gjegjësisht punës së përbashkët të hisedarëve të saj, e që janë gjashtë Agjencitë e Sigurisë Publike. Në të njëjtën kohë anëtarët e Bordit të AKSP-së shprehën gatishmërinë për vazhdimin e përkrahjes të Akademisë në misionin e saj.

Në pikën e radhës Drejtori Smakiqi dhe Drejtori i Departamenti për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore Zoti Shpend Shabani, shpalosën “Strategjia Zhvillimore dhe plani i veprimit të AKSP-së 2019 – 2022”. Synimi dhe vizioni i viteve 2019 – 2022 i Akademisë është: “Në vitin 2022 AKSP-ja do të jetë Qendër e Ekselencës për Siguri Publike në Kosovë”. Drejtori Shabani shpalosi gjashtë objektivat strategjike të Akademisë, nga një për secilën fushë tematike, 20 objektiva specifik dhe 110 aktivitete.

Në vazhdim Bordi u njoftua dhe debatoi edhe për këto pika të rendit të ditë të Bordit:
Njoftim lidhur me vizitën e ekspertëve të AKK-së për validimin e programit profesional “Zjarrfikës” dhe rishikimin e plotësimit të kushteve të dhëna nga AKK për të gjitha programet profesionale; Njoftim lidhur me kërkesën  për buxhet shtesë të AKSP-së dërguar në MPB; Diskutim lidhur me ofertën e Universitetit Gjerman Policor (MÏ‹nster) të Gjermanisë për hartimin e programit studimor Master në AKSP.

Anëtarët e Bordit gjegjësisht udhëheqësit e Agjencive të sigurisë publike u zotuan të përkrahin Akademinë, në procesin e plotësimit të kushteve të dhëna nga AKK për të gjitha programet profesionale si dhe kërkesën  për buxhet shtesë të AKSP-së, me qenë se Aktualisht në Akademi është katërfishuar numri i kadetëve dhe studentëve në krahasim me vitet paraprake.
Anëtarët e Bordit po ashtu shprehën interesim për krijimin e programit master në vitet në vijim në Akademi në fushën e sigurisë publike.