120 kadet të Shërbimit Korrektues sot filluan trajnimin bazik

20.02.2019

Vushtrri, 20 shkurt 2019 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi trajnimi bazik i gjeneratës së  re të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), gjeneratë kjo e cila numëron gjithësej 120 kadet.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues Rasim Selmanaj iu uroi suksese kadetëve në rrugën të cilën ata e kanë zgjedhur. Selmanaj tha se kjo sfidë nuk është e lehtë, por u shpreh i bindur se me punë do të arrihet misioni dhe vizioni i tyre. 

“Ju sot po filloni një sfidë të re e cila do t’ua ndryshoi rrjedhën  e jetës të cilën e keni bërë deri me sot. Kjo sfidë nuk do të jetë e lehtë, por ne jemi të bindur që ju do t’ia dilni kësaj sfide”, u shpreh Selmanaj. 

Zëvendësdrejtori Selmanaj falënderoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, konkretisht Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Ismail Smakiqi për punën që është duke e bërë.

Kadetët i përshëndeti edhe Drejtori i Departamentit për Trajnime dhe Përkrahje Programore Kastriot Jashari i cili tha se Akademia është e gatshme të ofroj kushte dhe përkrahje për secilin zyrtarë të sigurisë publike. Jashari më këtë rast iu uroj kadetëve suksese në drejtimin që ata kanë zgjedhur.

Ndryshe trajnimi bazike i cili mbahet në Akademi do të zgjatë  deri me 30.08.2019.