OSBE dhuroi donacion për Akademinë
Vushtrri, 12 shkurt 2019 - Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), vazhdon ta ndihmojë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) përmes organizimit të trajnimeve si dhe duke dhuruar donacione të ndryshme që janë të nevojshme për Akademinë. OSBE sot i dhuroi Akademisë një donacion që është njëqind (100) tavolina dhe dyqind e pesëdhjetë (250) karriga.
Në ceremoni e dhënies se këtij donacioni të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE Ake Roghe, Shpresa Muharremi këshilltare nga OSBE-ja, si dhe zyrtarë të lartë nga Akademia.
Fillimisht, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi e falënderoi OSBE-në për përkrahjen që po ia bënë Akademisë, duke vlerësuar se donacioni është shumë i nevojshëm.
“Ky donacion do të shërbejë për student dhe të gjithë pjesëtarët e sigurisë që ndjekin mësimet dhe trajnimet në Akademi. Çdo herë që ne kemi nevojë trokasim në derën e mikut tonë e që është OSBE-ja, dhe OSBE-ja çdo herë i përgjigjet kërkesës dhe e gatshme për të na ndihmuar”, u shpreh Smakiqi.
Drejtori Smakiqi tha se Akademia ka qenë dhe është shumë e interesuar që t’i kontribuoi sigurisë në Kosovë, duke ofruar trajnime dhe arsim të lartë më standarde të larta ndërkombëtare.
“Akademia natyrisht do të jetë më e besueshmja që i plotëson standardet evropiane, ndërkombëtare në përgjithësi”, tha Smakiqi duke u shprehur se mbështetja e OSBE-së për Akademinë nuk ka munguar asnjëherë duke dhënë donacione të shumta për ngritjen e kapaciteteve të saj.
Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE në Kosovë Ake Roghe u shpreh i lumtur që OSBE-ja po vazhdon ta përkrah Akademinë.
Duke aluduar në numrin e madh të zyrtarëve të sigurisë që marrinë pjesë në trajnime të ndryshme dhe numrin e madh të kadetëve të gjeneratës së 54 të Policisë së Kosovës që janë duke u trajnuar në Akademi, drejtori Roghe tha se ofrimi i kushteve kaq të mira për një numër kaq të madh është siç tha ai mbresëlënëse.
“Kjo është pozitive që ju po i rekrutoni gjithë këta njerëz, sepse në fund këta do të jenë në terren duke kryer punën e tyre. Sa i përket këtij angazhimi mendoi se është e vogël për neve sepse ne jemi pjesë e një familje. Gjithmonë përpiqemi që t’ju përkrahemi në çdo mënyrë të mundshme. OSBE nuk ka dilema për t’ju ndihmuar”, u shpreh Roghe duke thënë se mbështetja nuk do të mungoj as në të ardhmen.