Ekipi i Ekspertëve Vlerësues nga IADLEST të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfunduan vizitën e tyre fakt mbledhëse në Akademi
Vushtrri, 3 maj 2018 - Gjatë kësaj javës, gjatë ditëve 30 prill; 1, 2 dhe 3 maj 2017, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike po qëndrojnë Ekipi i Ekspertëve Vlerësues nga Asociacionit Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (International Association of Directors of Law Enforcement Standardsand Training - IADLEST) në vizitë fakt mbledhës, në procesin e akreditimit ndërkombëtar të Akademisë.
Ekipi i Ekspertëve udhëhiqet nga Zëvendës Drejtori i Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) z.David L Harvey si dhe znj. Drita Perezic Këshilltare e Lartë në ICITAP në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Programi i Menaxhimit të Lartë dhe Menaxhimit Ekzekutiv dhe znj. Remzije Ibrahimi zyrtare e Programit të ICITAP-it në Kosovë. Këshilltarja znj.Perezic dhe znj.Ibrahimi janë certifikuar nga IADLEST për vlerësuese në procese të akreditimit.
Kjo është hera e parë që ky asociacion bënë një vlerësim dhe akreditim ndërkombëtar jashtë SHBA-ve. Akademia e Kosovës për Siguri Publike e ka rastin të jetë institucioni i parë në regjion dhe më gjerë me status të Institucionit me Akreditim Ndërkombëtarë.
Iniciativa për akreditim ndërkombëtar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ardhur gjatë mbajtjes të Konferencës Vjetore të këtij asociacioni, e cila i zhvilloi punimet e saj në Nashville, Tennessee nga 21 – 24 maj 2017 dhe në të cilën morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, Drejtori për Trajnime të Specializuara dhe të Avancuara të Policisë së Kosovës, Akrem Racaj, të shoqëruar nga këshilltarja e lartë e ICITAP-it në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Programi i Menaxhimit të Lartë dhe Menaxhimit Ekzekutiv Drita Perezic.
Gjatë takimit me Zëvendës Drejtorin e Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) David L Harvey, është pranuar iniciativa e Akademisë për akreditim ndërkombëtar të Akademisë dhe është premtuar përkrahja e kësaj iniciative nga ana e ICITAP, gjegjësisht nga Perezic.
Në muajin korrik të vitit 2017, Akademia ka pranuar konfirmimin nga ICITAP për fillimin e procesit të akreditimit ndërkombëtar nga ana e IADLEST.
Me këtë rast, Akademia ka pranuar dokumentacionin e akreditimit, gjegjësisht listën e standardeve për akreditim nga IADLEST.
Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është Agjenci e cila akrediton Akademi Policore dhe të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bazuar në politikat e IADLEST, janë gjithsej 12 seksione apo fusha në të cilat IADLEST bën vlerësimin e Akademive me qëllim të akreditimit. Secila nga këto seksione ka në vete disa standarde, që në total janë 56 standarde.
Fushat e vlerësimit janë; Përputhshmëria ligjore dhe rregullative; Marrëveshjet dhe politikat me hisedar; Strukturë organizative e përfshirë në trajnime; Mbajtja e të dhënave; Stafi; Zhvillimi i Trajnimit; Trajnimi dhe Vlerësimi; Studentët; Teknologjia e Informacionit; Objektet; Buxheti (financat) dhe Pajisjet.
Me qëllim të përgatitjes dhe dëshmimit të përmbushjes të këtyre standardeve, Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka formuar grupin punues për procesin e akreditim nga ana e IADLEST dhe ka bashkëpunuar ngushtë me zyrtarët e ICITAP, të cilat do të marrin pjesë në procesin e vlerësimit së bashku me ekspertin e IADLEST të akreditimit.
Gjatë ditëve të vlerësimit, i gjithë personeli i Akademisë, mësimdhënësit dhe instruktorët e Agjencive të Sigurisë Publike, studentët dhe pjesëmarrësit në trajnime, janë njoftuar me vizitën e ekspertëve fakt mbledhës nga IADLEST, në këtë proces të akreditimit ndërkombëtar të Akademisë.
Në ditën e fundit të vizitës, Ekipi i Ekspertëve Vlerësues nga Asociacionit Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike z.Ismail Smakiqi dhe personelin udhëheqës të Akademisë me të gjeturat preliminare si dhe procesin deri në marrje të vendimit për akreditim eventual nga Bordi Ekzekutiv i IADLEST.