Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike diplomoi gjenerata e 46-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

 

Vushtrri, 14 gusht 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Pas përfundimit me sukses të trajnimit profesional, 100 zyrtarë të rinj korrektues i bashkohen SHKK-së, duke kontribuar në përmbushjen e misionit të këtij institucioni për garantimin e sigurisë dhe zbatimin e standardeve profesionale në sistemin korrektues.

 

Në ceremoninë solemne morën pjesë personalitete të larta shtetërore, përfshirë Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, eprorë dhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe të Agjencioneve të tjera të Sigurisë, zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe familjarë të kadetëve të sapodiplomuar.

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij drejtuar kadetëve, theksoi se detyra e zyrtarit korrektues përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe respektimin e dinjitetit të personave të privuar nga liria.

 

Ai tha se, nga sot, zyrtarët e rinj korrektues përfaqësojnë shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe se, në çdo situatë, duhet të veprojnë me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe me dinjitet.

 

“Nga nesër fillon përgjegjësia e vërtetë. Mbajeni lart uniformën, zbatoni ligjin dhe shërbeni me ndershmëri, duke afirmuar profesionalizmin për çdo ditë dhe në secilën situatë”, tha Kryeministri Kurti.

 

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Kurti falënderoi Shërbimin Korrektues të Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, instruktorët dhe familjarët e kadetëve për mbështetjen e tyre gjatë rrugëtimit profesional.

 

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, përgëzoi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit, duke theksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të jetë parim themelor në ushtrimin e detyrës së zyrtarit korrektues.

 

Ajo theksoi se detyra e zyrtarëve korrektues nuk lidhet vetëm me ruajtjen e rendit, por edhe me garantimin e sigurisë, ligjshmërisë dhe trajtimit njerëzor të personave të privuar nga liria.

 

“Detyra juaj nuk është vetëm të ruani rendin, por të bëni të mundur që siguria, ligjshmëria dhe trajtimi njerëzor të bashkëjetojnë çdo ditë në institucionet tona korrektuese. Një sistem korrektues modern nuk mund të mjaftohet vetëm me ekzekutimin e dënimit, por duhet të krijojë kushte që një person, pas përfundimit të dënimit, të ketë mundësi reale për rehabilitim dhe rikthim në shoqëri. Dhe në këtë proces, roli juaj është i pazëvendësueshëm”, tha Gërvalla-Schwarz.

 

Drejtori i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, pasi uroi kadetët për diplomimin, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj korrektues që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor.

 

Ai theksoi se roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese, por përfshin edhe mbështetjen e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.

 

“Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju”, tha Dibrani.

 

 Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, uroi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit profesional, duke theksuar se detyra e zyrtarit korrektues kërkon profesionalizëm, disiplinë, vetëkontroll dhe integritet, si dhe angazhim të vazhdueshëm në garantimin e sigurisë dhe mbështetjen e proceseve të risocializimit.

 

“Certifikata që merrni sot nuk është vetëm dëshmi se keni përfunduar programin, ajo është edhe një premtim profesional ndaj Republikës së Kosovës se dijen, aftësitë dhe autoritetin që ju është besuar do t’i përdorni me ndershmëri”, tha z. Shabani.

 

Në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shabani përgëzoi zyrtarët e rinj korrektues dhe u uroi një karrierë të ndërtuar mbi profesionalizëm, disiplinë dhe integritet.

 

“Profesionalizmi juaj do të shihet kur askush nuk ju vëzhgon. Integriteti juaj do të provohet kur vendimi i drejtë është më i vështiri. Ndërsa nderi i uniformës do të varet çdo ditë nga mënyra se si ju e mbani atë. Andaj, shërbejini ligjit. Ruajeni integritetin. Nderojeni uniformën dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh z. Shabani.

 

Almendina Ajvazi, kadete, falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për arritjet dhe përmbylljen me sukses të trajnimit profesional,  ndërsa premtoi  se punën e zyrtarëve korrektues do ta ushtrojnë me përgjegjësi, integritet, dispilinë duke respektuar ligjin.

 

Ceremonia e diplomimit të kadetëve për zyrtarë korrektues u përmbyll me koktej rasti për të gjithë pjesmarrësit.  



 

Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike të OSBE-së vizitoi AKSP-në

 

Vushtrri, 6 gusht 2026 – Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët, priti në takim Drejtorin e Departamentit për Rend dhe Siguri Publike pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Bertram Welsing.

 

Me këtë rast, drejtori Shabani i uroi mirëseardhje z. Welsing dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka ofruar Akademisë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe realizimin e projekteve në fushën e sigurisë publike.

 

Ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të partneritetit me institucionet homologe ndërkombëtare.

 

Drejtori Welsing vlerësoi zhvillimin institucional dhe të arriturat e Akademisë, duke rikonfirmuar përkushtimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë për të vazhduar mbështetjen dhe partneritetin strategjik me AKSP-në edhe në periudhën 2026 e tutje.

 

Ai theksoi gatishmërinë e OSBE-së për të mbështetur prioritetet zhvillimore të Akademisë dhe për të kontribuar në realizimin e vizionit të saj afatgjatë si institucion qendror në fushën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës. 

Shpallen konkurset për pranimin e studentëve në programin studimor Bachelor ‘Siguri Publike’ për vitin akademik 2026/2027

 

Vushtrri, 3 gusht 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) njofton zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike se janë shpallur konkurset për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në programin studimor Bachelor "Siguri Publike", në Fakultetin e Sigurisë Publike, për vitin akademik 2026/2027.

 

Në kuadër të këtyre konkurseve janë miratuar gjithsej 55 vende nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për regjistrim të studentëve për vit akademik, të ndara sipas institucioneve si në vijim:

• Policia e Kosovës - 26 vende;

• Shërbimi Korrektues i Kosovës - 20 vende;

• Agjencia e Menaxhimit Emergjent - 8 vende;

• Inspektorati Policor i Kosovës - 1 vend.

 

Kushtet e përgjithshme për aplikim janë:

• Të kenë përfunduar me sukses shkollimin e mesëm, të dëshmuar me diplomë;

• Të jenë të punësuar në institucionin përkatës të sigurisë publike.

 

Kushtet e veçanta për aplikim, dokumentacioni i nevojshëm, mënyra e testimit dhe procedurat e tjera janë të përcaktuara në konkurset e veçanta të shpallura nga secili institucion i sigurisë publike.

 

Vegzat (linqet) i gjeni sin ë vijim:

 

Policia e Kosovës - Konkurs i brendshëm për pranimin e studentëve në programin studimor Siguri Publike:
Shkarko dokumentin

 

Shërbimi Korrektues i Kosovës - Konkurs i brendshëm për pranimin e studentëve në programin studimor Siguri Publike:

Shkarko dokumentin

 

Agjencia e Menaxhimit Emergjent - Konkurs i brendshëm për pranimin e studentëve në programin studimor Siguri Publike:

Shkarko dokumentin

Inspektorati Policor i Kosovës - Konkurs i brendshëm për pranimin e studentëve në programin studimor Siguri Publike:

Shkarko dokumentin

 

Afati për aplikim është nga 3 gusht 2026 deri më 17 gusht 2026. Procedurat e pranimit, duke përfshirë pranimin e aplikimeve, verifikimin e dokumentacionit, organizimin e testimit, vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, administrohen nga institucionet përkatëse të sigurisë publike, në përputhje me konkurset e shpallura prej tyre.

 

Në Fakultetin e Sigurisë Publike të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike do të regjistrohen kandidatët që i përfundojnë me sukses procedurat e pranimit dhe përzgjidhen sipas konkurseve të administruara nga institucionet e sigurisë publike, në kuadër të kuotave të miratuara.

 

Për informata më të detajuara lidhur me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për aplikim, dokumentacionin e nevojshëm, mënyrën e testimit, procedurat e përzgjedhjes dhe çështjet e tjera që lidhen me procesin e pranimit, kandidatët duhet t’u referohen konkurseve të veçanta të shpallura nga institucionet përkatëse të sigurisë publike, të cilat janë bashkëngjitur këtij njoftimi.

 

Për informata shtesë lidhur me programin studimor, kandidatët mund të kontaktojnë Fakultetin

e Sigurisë Publike në:

 

E-mail: [email protected] 

Tel.: +383 (0)28 590 070


Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00