Në Akademi diplomoi gjenerata e 44-të e Policisë së Kosovës

18.01.2013

Vushtrri, 18 janar 2013  - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, pas një trajnimi 20 javor diplomuan shtatëdhjetë kadet të rinj të Policisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani, përfaqësues të zyrave diplomatike në Kosovë, përfaqësues nga ICITAP, OSBE të KFOR-it si dhe përfaqësues nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Zëvendësministri i  Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, duke iu uruar të sapo diplomuarve suksese në punë, tha se Policia e Kosovës është e obliguar të garantoj rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës në gjithë territorin e saj.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë me zhvillimin e politikave strategjike në përkrahje të Policisë së Kosovës, duke rekrutuar pjesëtarë të rijnë, në mënyrë që policia jonë të jetë më e re në moshë”, tha Zeka. Ai duke vlerësuar se puna e policisë është një ndër punët më sfiduese dhe të rrezikshme tha se Policia e Kosovës është argumenti më i mirë se këto sakrifica dhe mundime po shpaguhen me të arritura të mëdha dhe përkrahje nga qytetarët e Kosovës. “Me rezultatet e arritura, ne po avancojmë në procesin e integrimeve evropiane dhe jam më se i sigurt që edhe  ju do të kontribuoni edhe ne sigurinë rajonale dhe atë ndërkombëtare si pjesë e misioneve jashtë shtetit”, tha Zeka. Ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha polica është mbrojtëse e të drejtave individuale dhe publike, respektues të rëndit dhe ligjit në gjithë Republikën e Kosovës. “Sundimi i rendit dhe ligjit sot është një parakusht esencial në të gjitha aspektet e shoqërisë garantues të së cilës nga sot do të jeni edhe ju të nderuar polic të rinj.
Edukimi dhe aftësimi juaj me standardet më të larta profesionale në fushën e zbatimit të ligjit do të jetë një ndihmesë e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por edhe perspektiven e vendit”, tha Maxhuni.

Maxhuni tha se Policia e Kosovës duhet të jetë çdo herë shembull i realizimit të objektivave, misionit dhe vizionit të saj
 Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi fillimisht ka uruar kadetët për diplomimin e tyre. Smakiqi tha se Akademia e Kosovës për Siguri Publike tani më është qendër më e fortë e të gjitha llojeve të trajnimit më bashkëkohorë për të gjitha agjencionet e Sigurisë Publike- zbatuesit e ligjit. Akademia është e gatshme të merr përgjegjësi në arsimimin superior dhe të trajnimeve për të gjitha agjencionet e sigurisë publike. “Ngritja e cilësisë së trajnimeve dhe arsimimi i lartë është prioritet absolut i Akademisë dhe partnerëve të sajë ICITAP-it dhe OSBE-së dhe së fundmi i Komisionit Evropian përmes Projektit të Binjakëzimit- Përmirësimi i Arsimit në Sektorët e Sigurisë dhe Rendit Publikë”, u shpreh Smakiqi.
“Qytetarët me padurim presin inkuadrimin e juaj në Policinë e Kosovës . Meritoni pritjet e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy“ tha Smakiqi.