Sot në QKSPEZH diplomuan 20 zyrtarë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, në kursin Bazik të Hetimeve

05.06.2009

Vushtrri, 5 maj 2009-Sot, në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, pas një trajnimi intensiv katër  javorë, u çertifikuan 20 pjesëmarrës, në kursin bazik të Hetimeve, zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Shërbimit për Kontroll të Brendshëm të Shqipërisë.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë drejtori i përgjithëshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z. Astrit Halilaj,  kryeshefi ekzekutiv i Inspektariatit të Policisë së Kosovës, z.Enver Rrustemaj, përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri, z.Leon Strigote, Petrit Bushi nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, përfaqësues i ICITAP në Qendër z.Alex Rivera,  si dhe  zyrtarë të  tjerë të lartë të Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, Policisë së Kosovës dhe Inspektariatit Policor të Kosovës.

Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z.Astrit Halilaj falenderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për realizimin e këtij trajnimi, ai thë se ‘ky trajnim shënon një urë bashkëpunimi, ndërmjet dy shteteve tona të pavarura dhe demokratike , që i përkasim të njëjtit komb dhe flasim të njëjtën gjuhë. Është i pari kurs që zhvillohet jashtë shtetit pa patur nevojë për përkthyes’
Në vazhdim drejtori Halilaj  vlerësoi këtë trajnim tejet të  rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit reciprok  në të gjitha fushat, me theks të veçant  në fushën e zbatimit të ligjit  dhe krijimin e standardeve të përbashkëta. ‘Shkëmbimi i modeleve dhe eksperiencave  të ngjashme ndërmjet Agjencive  të Ligjit  të dy shteteve tona, është i rëndësishëm  për bashëkpunim reciprok. Ky trajnim do të forcojë edhe më tej, bashkëpunimin tonë me Inspektariatin Policor të Kosovës, pasi që IPK dhe SHKB janë dy agjencitë ligjore përgjegjëse për mbikëqyrjen e punës së Shërbimeve Policore  të të dy vendeve’, tha ndër të tjera drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Shqipërisë, z.Astrit Halilaj.

Driton Zabërxha nga Policia e Kosovës  theksoi se ‘Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë janë dy institucione shumë të rëndësishme, të cilat kanë bashkëpunim të mirë dhe janë në rrugë të drejtë  të zhvillimit, duke punuar me zell për një rajon të sigurt dhe demokratik’
Ndërkaq përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri z.Leon Strigote  vlerësoi lartë punën e Inspektariatit Policor të Kosovës dhe tha se  ‘ Demokracia dhe liria nuk janë të barabarta me korrupcionin, nuk mund të jemi shoqëri demokratike nëse nuk kemi agjenci që  lufton krimin. Ju jeni expert  në luftimin e krimit, por duke  parë punën e mirë të IPK-së  është inicuar ky trajnim dhe pasi që ju jeni në front të luftimit të korrupcionit shpresojmë se së bashku me homologët kosovar  do të vendosni një standard, që do të jetë model, jo vetëm për vendet tuaja, por për tërë Europën Juglindore’, tha përfaqësuesi i ICITAP në Shqipëri.
Pjesëmarrësit i përshendeti edhe Petrit Bushi nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë.