Filloi implementimi i projektit të binjakëzimit në Akademi

14.03.2012

Vushtrri, 14 mars 2012-  Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, filloi implementimi i projektit të binjakëzimit, projekt i financuar nga Komisioni Evropian i cili është fituar nga Finlanda dhe Estonia, dhe ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi theksoi se tani është koha e duhur në implementimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në arritjen e objektivave në përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike.
Ai tha se Akademia  po vazhdon me reformimin e saj, duke iniciuar procedurat rreth hartimit të akteve nënligjore në përputhje me Ligjin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, me objektiv të qartë për akreditimin e Akademisë në përputhje me planin zhvillimor, duke përfshirë këtu ristrukturimin e brendshëm organizativ, anëtarësimin e Akademisë në organizatat ndërkombëtare etj.
Ndërsa Honkonen Risto këshilltar i projektit të binjakëzimit tha se ky është një rast i shkëlqyer për shtetin e Kosovës dhe tash është koha juaj që t’i realizoni projektet e BE-së. Besoj se ju do t’i mirëpritni ekspertët tanë që të bashkëpunoni në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, ku do të përmirësohet arsimimi për pjesëtarët e sigurisë publike.