Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi kursi për Inspektim

13.02.2012
Prishtinë, 13 shkurt 2012 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), filloi kursi bazik për inspektim për zyrtarët e Inspektoratit të Policisë së Kosovës. Ky trajnim u organizua nga Programi Mbështetës Trajnues i Hetimit të Krimit Ndërkombëtarë në Kosovë (ICITAP).
Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani, Menaxheri i ICITAP-it në Kosovë, Darrel Hart dhe zyrtarë të lartë i AKSP-së.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, falënderoi ICITAP-in për mbështetjen e vazhdueshme që po i ofron pjesëtarëve të sigurisë publike. Ai theksoi se mbikëqyrja demokratike e institucioneve të sigurisë është njëri ndër parakushtet kryesore të shtetit modern të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.
“Puna e deritashme e Inspektoratit të Policisë së Kosovës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në cilësinë e Policisë së Kosovës, si institucioni më i besuar në Republikën e Kosovës. Bashkëpunim mes policisë dhe inspektoratit garanton rend dhe siguri për gjithë qytetarët e vendit”, tha ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi vuri në dukje se  ndër përgjegjësitë  e Inspektoratit të Policisë së Kosovës, në të cilën parashihet edhe në ligjin për IPK-në, ka të bëjë me inspektimin e strukturave dhe funksioneve të Policisë së Kosovës, për të siguruar llogaridhënie dhe efikasitet në mënyrën e kryerjes së detyrave nga ana e zyrtarëve policor dhe vlerësoi se vijimi i kursit për inspektim është mjaft i rëndësishëm për zyrtarët e IPK-së.
Ndërsa, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani tha se trajnimi për inspektim është shumë i rëndësishëm për zyrtarët e IPK-së. Ai tha se ky trajnim do të aftësojë zyrtarët në ngritjen e vazhdueshme profesionale duke u përkujdesur që ligji të zbatohet në mënyrë profesionale. Kursi për inspektimin do të zgjatë dy javë.