Në QKSPEZH u mbajt Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara

20.06.2011

Vushtrri, 20 qershor ’11 –  Në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim (QKSPEZH) për të shtatën herë me radhë u mbajt Miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara  e cila është  organizuar nga OPFAKOS e përkrahur nga Ministria e Punëve të Brendshme, QKSPEZH dhe OSBE-ja. Në këtë miniolimpiad kanë marrë pjesë rreth 450 persona me aftësi të kufizuara. Në hapjen zyrtare të Miniolimpiadës të pranishëm ishin  Kryeshefi Ekzekutiv i QKSPEZH-it, Sheremet Ahmeti, zëvendës ambasadori i OSBE-së Edward Joseph si dhe përfaqësues të KFOR-it.
Kryeshefi Ekzekutiv i QKSPEZH-it Sheremet Ahmeti tha se  është nder dhe kënaqësi e madhe që të bëjmë së bashku hapjen e miniolimpiadës së Organizatës së Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim.
“Trajtimi, përkujdesja dhe qasja ndaj personave me aftësi të kufizuara është një ndër faktorët kyçë që përcaktojnë edhe vlerat dhe sistemin e ndërtuar në shoqëri të veçanta dhe në përgjithësi në aspektin global”, tha Ahmeti. Ai tha se duke parë se vendi ynë dekadave të fundit ka kaluar nëpër faza të vështira shoqërore e politike, kjo pa dyshim që ka ndikuar që perceptimi dhe trajtimi për këtë kategori shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë të mos jetë ashtu si duhet të jetë. Kryeshefi Ahmeti tha se me konsolidimin gradual të institucioneve demokratike të shtetit tonë, gjendja e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë ka shënuar progres të vazhduar, që njëherësh tregon edhe orientimin e drejtë dhe racional të sektorit qeveritar, shoqërisë civile dhe të gjithë mekanizmave tjerë tek ne në këtë aspekt. Ai tha për shtatë vite me radhë Qendra është nikoqire e miniolimpiadës së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre, ku për dy ditë me radhë ata bëjnë gara në disiplina të ndryshme sportive dhe kënaqen duke u shoqëruar me njëri-tjetrin. Kjo njëherësh paraqet më së miri urën lidhëse ndërmjet qytetarit në njërën anë, dhe në anën tjetër të policit, zjarrfikësit, doganierit apo korrektuesit, të cilët në fakt i shërbejnë këtij qytetari.
Zëvendës ambasadori i OSBE-së në Kosovë ka përshëndetur të pranishmit duke thënë se OSBE është e gatshme të përkrah vazhdimisht Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në realizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve tjera.
“OSBE nuk e mbështet vetëm trajnimet e personave të sigurisë publike, por edhe këta persona  ma të ndjeshëm të shoqërisë sonë”, tha  Joseph. Ai tha se Institucionet Demokratike në Kosovë duhet të din jo vetëm për personat me aftësi të kufizuar por edhe për aftësitë e tyre.
Kryetari i OPFAKOS-të, Gani Mehmeti ka përshëndetur  të pranishmit dhe i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që QKSPESH dhe OSBE i bënë personave me aftësi të kufizuar në realizimin e aktiviteteve të tyre. Mehmeti gjatë fjalimit të tij tha se është shumë e rëndësishme që këta persona kanë gjetur përkrahje nga QKSPEZH-i dhe OSBE. “Kjo  përkrahje që po bëhet tani  është një shembull shumë i mirë të cilin duhet ndjekur”, tha Mehmeti.
Mehmeti ka shprehur dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. “ Tani shtatë vjet gjejmë përkrahje të madhe nga Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. U jemi  shumë mirënjohës donatorëve që kanë përkrahur këtë miniolimpiad siç janë  OSBE-ja MPB, QKSPEZH’’, u shpreh Mehmeti.
Pas hapjes zyrtare, pjesëmarrësit kanë vazhduar garat në aktivitete të ndyshme sportive si vrapim me karrocë, basketboll, hendboll, goll-boll, pikado, shenjëtari etj.
Në fund të kësaj ngjarje e cila zgjati dy ditë radhazi pjesëmarrësit fitues të garave të miniolimpiadës  ju shpërndan medalje, certifikata dhe mirënjohje.