Shefi i Komponentës të Policisë së EULEX-it vizitoi Qendrën e Kosovës për Siguri Publike

17.03.2011

Vushtrri, 17 mars 2011- Kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim z. Sheremet Ahmeti priti në takim një delegacion  nga misioni i EULEX-it në Kosovë i udhëhequr nga shefi i Komponetës të Policisë së EULEX-it z. Udo Moeller.
Z. Ahmeti fillimisht i përshëndeti delegacionin e më pas i informoi me punën, aktivitetet, trajnimet të cilat mbahen në Qendër nga katër Axhencionet e sigurisë publike si Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Axhencioni i Menaxhimit të Emergjencave si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Gjithashtu z. Ahmeti foli edhe për fazat të cilat po kalon tani qendra si në proceset e akreditimit, certifikimit  si dhe synimet e saj që në një të ardhme te afërt Qendra të bëhet  me arsimim të lartë,  kryesisht në fushën e sigurisë.
“Qëllimi ynë është që qendra të marrë karakter regjional në Evropën Juglindore, për studime në fushën e sigurisë publike pasi që këtu shumë pjesëtarë  që i përkasin fushës së sigurisë nga vendet e rajoni si nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj kanë përfunduar trajnimet”, tha z. Ahmeti.
Kryeshefi z.Ahmeti falënderoi të gjitha misionet ndërkombëtare për kontributin e dhënë në fushën e sigurisë e në mesin e tyre edhe misionin e Bashkimit Evropian EULEX-in.
Ai shprehu bindjen se Qendra e Kosovës për Siguri Publike dhe  EULEX-i do ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
Ndërsa shefi i Komponetës të Policisë së EULEX-it z. Udo Moeller tha se qëllimi i vizitës së tij në Qendrën për Siguri Publike ka qenë që të informohet më për se afërmi  me punën, trajnimet  dhe aktivitete që kryhen në këtë institucion. Ai tha se bashkëpunimi mes EULEX –it dhe Qendrës do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Në fund të takimit ata bënë edhe një vizitë të gjitha objekteve të Qendrës.