Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim përkrah ‘Ditën ndërkombëtare të vajzave’

23.04.2009

Vushtrri, 23  prill ’09 - Sot u  shënua  "Dita Ndërkombëtare  e Vajzave" e cila për  herë të dytë   u mbajt  në  Kosovë, projekt i Organizatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik dhe Ministrisë së Arsimit, Skencës dhe Teknologjisë .Në përkrahje të këtij   projekti  Qendra e Kosovës për Siguri Edukim dhe Zhvillim ofroi mbështetje për 100 vajza nga shkollat fillore të Vushtrisë, ‘Anton Zako Çajupi’ dhe ‘Mustafa Venhari’.

Qëllimi i kësaj dite është që vajzat  të cilat  nuk kanë bërë  ende  zgjedhjen e  tyre  profesionale, të kenë mundësinë të   njihen me  profesione  të cilat  tradicionalisht konsiderohen punë burrash.

Gjatë  kësaj dite  vajzat  u ndanë  në dy  grupe, sipas  Agjencioneve të Sigurisë Publike, të integruara në Qendër, Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Menaxhimit të Emergjencave. Pas ligjëratave nga zyrtarë të  agjencioneve përkatëse, vajzat  ushtruan praktikisht  disa nga detyrat dhe aktivitetet e Policisë  dhe Zjarrfikësve.

Ishte një  ushtrim praktik i cili  ndihmon këto vajza  të  krijojnë  ide  për profesione  të cilat  tradicionalisht konsiderohen jo femrore dhe në këtë  mënyrë të krijohen mundësi të  barabarta karriere për të dy gjinitë.