Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Përfaqësues të AKSP-së po marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të EFSCA 2026 në Republikën Çeke

Ostrava, Republika e Çekisë, 21 maj 2026 - Me ftesë të Asociacionit të Kolegjeve Evropiane të Shërbimit të Zjarrëfikjes (EFSCA), organizatë në të cilën Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është anëtare me të drejta të plota, dy zyrtarë të lartë të AKSP-së, përkatësisht z. Shpend Shabani, U.d. Drejtor i Përgjithshëm dhe z. Rrahim Rexha, Drejtor i DFSHP janë duke marrë pjesë në takimin dhe konferencën ndërkombëtare vjetore të EFSCA-së, e cila po mbahet më 19 - 21 maj 2026 në Ostrava të Republikës Çeke.

Konferenca ndërkombëtare EFSCA 2026 ka mbledhur përfaqësues të institucioneve trajnuese, akademike dhe profesionale nga shtetet anëtare të EFSCA-së, të cilat veprojnë në fushën e sigurisë publike, mbrojtjes nga zjarri, menaxhimit të emergjencave dhe menaxhimit të krizave. Gjatë konferencës po zhvillohen prezantime profesionale, diskutime tematike dhe shkëmbim përvojash lidhur me praktikat bashkëkohore të trajnimit, arsimit, dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale në sektorin e sigurisë. Po ashtu, ekspertë dhe përfaqësues ndërkombëtarë po trajtojnë sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit në këto fusha me rëndësi të veçantë për sigurinë publike.

Aktivitetet po zhvillohen në qytetin e Ostravës, një qendër me traditë të fuqishme industriale dhe minerare, e cila sot njihet si një qendër moderne e inovacionit, kulturës dhe ekspertizës profesionale.


Akreditohet programi studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor nga Agjencia e Kosovës për Akreditim

Vushtrri, 21 maj 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka arritur akreditimin e programit të ri studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor për periudhën trevjeçare nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

 

Vendimi është marrë në mbledhjen e 149-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të mbajtur më 18 maj 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për programin studimor të AKSP-së. Programi “Siguri Publike” është akredituar në nivelin Bachelor me 180 ECTS, me kuotë prej 55 studentësh dhe kohëzgjatje trevjeçare të studimeve.

 

Programi studimor “Siguri Publike” është dizajnuar si program i ri studimor në fushën e sigurisë publike, me fokus në përgatitjen akademike dhe profesionale të kuadrove për institucionet dhe agjencitë e sistemit të sigurisë publike në Republikën e Kosovës. Programi është ndërtuar mbi një qasje të integruar, duke reflektuar specifikat, kompetencat dhe fushëveprimin e agjencive të sigurisë publike.

 

Akreditimi i programit studimor vjen pas suksesit të rëndësishëm institucional të Akademisë, e cila në fillim të këtij viti ka arritur akreditimin institucional pesëvjeçar në arsimin e lartë.

 

Akademia u është mirënjohëse të gjithë atyre që kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi institucional, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar në procesin e vlerësimit, studentëve, përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë publike, si dhe të gjithë të tjerëve që kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi.

 

Ky sukses është dëshmi e përkushtimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit të Akademisë, të cilët me angazhim dhe profesionalizëm kanë kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e standardeve të cilësisë dhe zhvillimin e arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike.

 

Së shpejti Akademia do të fillojë përgatitjet dhe procedurat për regjistrimin e studentëve në programin e ri studimor “Siguri Publike”, ndërsa fillimi i vitit të ri akademik planifikohet të realizohet në muajin tetor të këtij viti.


 

Takim prezantues me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN)

 

Vushtrri, 15 Maj 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Shpend Shabani së bashku me Shefin e Divizionit të Marrëdhënieve me Jashtë z. Avni Istrefi, pritën përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN), znj. Bella P. Smith, Këshilltare për Menaxhimin e Emergjencave, dhe z. Rafael Shönert, Këshilltar për Rezistencë dhe Siguri Klimatike, për një takim prezantues  dhe informues.

 

Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në rolin dhe përgjegjësitë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në zhvillimin profesional dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike, përkatësisht në fushën e menaxhimit të emergjencave.

 

Në këtë drejtim, diskutimet u përqendruan edhe në ndikimin e këtyre aktiviteteve, me theks të veçantë në ndërtimin e kapaciteteve në menaxhimin e emergjencave, zjarrfikjen, kërkim-shpëtimin dhe fusha të ngjashme.

 

U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit me mekanizmat ndërkombëtarë, duke theksuar rolin e Akademisë në trajnim dhe edukim me qëllim avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe institucionale.

 

Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim idesh në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm midis AKSP-së dhe EKNN, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale.


 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00