Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

AKSP dhe AME marrin pjesë në mobilitetin e stafit në kuadër të Programit Erasmus+ në Varshavë të Polonisë

 

Varshavë, 12-16 tetor 2026 - Përfaqësues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME) po marrin pjesë në Mobilitetin e Stafit për Trajnim (STT), në kuadër të Programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian, që po zhvillohet nga 12 deri më 16 tetor 2026 në Akademinë e Zjarrfikjes (Akademia Pożarnicza) në Varshavë të Polonisë.

 

Përveç përfaqësuesve nga Kosova, në këtë mobilitet marrin pjesë edhe përfaqësues të Universitetit Amikom Yogyakarta nga Indonezia dhe të Universitetit Shtetëror të Burgasit nga Bullgaria.

 

Gjatë qëndrimit në Poloni, pjesëmarrësit kanë mundësinë të vizitojnë kampusin e Akademisë së Zjarrfikjes në Varshavë, të njihen nga afër me laboratorët dhe infrastrukturën trajnuese, si dhe me metodat dhe praktikat e punës që zbatohen në procesin edukativo-arsimor dhe profesional në fushën e zjarrfikjes.

 

Këto vizita mundësojnë njohjen me qasjet bashkëkohore të mësimdhënies dhe trajnimit, si dhe me mënyrat e përgatitjes profesionale të personelit për përballimin e situatave emergjente.

 

Programi përfshin gjithashtu prezantime nga institucionet pjesëmarrëse, përmes të cilave prezantohen përvojat, praktikat dhe veçoritë e sistemeve përkatëse të edukimit dhe trajnimit.

 

Po ashtu, njohja nga afër me profesionistë të fushës në kuadër të praktikave bashkohore do jenë mundësi për shkëmbimin e njohurive, diskutimin e sfidave të përbashkëta dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm ndërinstitucional.

 

Ky aktivitet pritet të finalizohet me ndarjen e çertifikatave për pjesëmarrësit nga ana e programit ERASMUS+.

 

Ky mobilitet realizohet në bazë të marrëveshjes ndërinstitucionale ndërmjet AKSP-së dhe Akademisë së Zjarrfikjes në Varshavë, bashkëpunim i cili daton që nga viti 2015.

 

Pjesëmarrja në këtë program përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin profesional të stafit, avancimin e kapaciteteve institucionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave.

 

 


AKSP-ja merr pjesë në Takimin e 20-të të Njësive Kombëtare të CEPOL-it në Budapest

 

Budapest, 7 - 8 tetor 2026 - Në selinë e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit (CEPOL), në Budapest të Hungarisë, u mbajt Takimi i 20-të i Njësive Kombëtare të CEPOL-it (CNU).

Në këtë takim, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u përfaqësua nga Avni Istrefi, Koordinator Kombëtar i Kosovës për CEPOL dhe udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë.

 

Takimi mblodhi përfaqësues të njësive kombëtare dhe partnerëve të CEPOL-it, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit të aktiviteteve në fushën e trajnimit për zbatimin e ligjit.

 

Ky takim shërben si një platformë e rëndësishme për adresimin e nevojave të përbashkëta dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.

 

Agjenda përfshiu diskutime mbi përmirësimin e proceseve të CEPOL-it, shkëmbimin e praktikave të mira ndërmjet njësive kombëtare, zhvillimin e lidershipit dhe përparësitë e agjendës së trajnimeve.

 

Vëmendje e veçantë iu kushtua platformës LEEd, inteligjencës artificiale në trajnim, sigurisë kibernetike, zhvillimit të programeve të të nxënit dhe definimit të mjeteve të përbashkëta të Bashkimit Evropian për zbatimin e ligjit.

AKSP mirëpret gjeneratën e re të studentëve të Programit Bachelor në Siguri Publike

 

Vushtrri, 2 tetor 2026 - Fakulteti i Sigurisë Publike i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, organizoi sot, Ditën e Mirëseardhjes dhe Orientimit Akademik për studentët e rinj të Programit Bachelor në Siguri Publike, të regjistruar në vitin akademik 2026/2027.

 

Gjenerata e re përbëhet nga pjesëtarë të institucioneve të sigurisë publike, përfshirë Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

 

Në ceremoninë e mirëseardhjes, studentëve iu drejtuan u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, z. Shpend Shabani, dhe u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi.

 

Në fjalën e tij, u.d. Drejtori i Përgjithshëm, z. Shpend Shabani, u uroi mirëseardhje studentëve, duke theksuar se ata vijnë në Akademi me përvojë profesionale dhe përgjegjësi institucionale dhe se programi duhet të shërbejë për avancimin e mëtejshëm të njohurive dhe profesionalizmit të tyre. Duke theksuar se: “Ju nuk vini këtu si njerëz që sapo po njiheni me sigurinë publike. Vini me përvojë, me përgjegjësi, me sfida të përditshme dhe me një institucion pas vetes. Pikërisht për këtë arsye, ky program duhet të jetë më shumë se një diplomë. Duhet të jetë një mundësi për ta ngritur në një nivel tjetër atë që tashmë dini dhe atë që tashmë bëni.”

 

Duke folur për rëndësinë e kësaj gjenerate për Akademinë, theksoi se fillimi i studimeve vjen pas një periudhe të rëndësishme pune për rikthimin e akreditimit institucional dhe të Programit Bachelor në Siguri Publike.

 

Ndërsa u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, theksoi se fillimi i vitit të ri akademik ka një domethënie të veçantë për Fakultetin, pasi pas një pauze trevjeçare në pranimin e studentëve të rinj, FSP-ja po e fillon përsëri vitin akademik me një gjeneratë të re. Duke iu referuar rolit që pjesëtarët e institucioneve të sigurisë publike kanë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit, u.d. Dekani theksoi se arsimimi i tyre në Fakultetin e Sigurisë Publike tejkalon dimensionin individual të zhvillimit profesional, duke theksuar se: “Arsimimi juaj këtu nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin tuaj individual profesional, por edhe me forcimin e kapaciteteve tuaja për t’i shërbyer qytetarit, për ta zbatuar ligjin dhe për t’i mbrojtur vlerat kushtetuese të Republikës së Kosovës,” theksoi prof. Bytyqi.

 

Ai inkurajoi studentët që Fakultetin ta shohin jo vetëm si vend të ligjëratave dhe provimeve, por si hapësirë të zhvillimit akademik, profesional dhe të shkëmbimit të përvojave.

 

Pas pjesës së ceremonisë së mirëseardhjes dhe prezantimeve, drejtuesit e AKSP-së dhe FSP-së, të ftuarit, personeli akademik, drejtues dhe administrativ dhe studentët realizuan një fotografi të përbashkët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2026/2027.

 

Më pas, aktiviteti vazhdoi sipas agjendës me programin e orientimit akademik, duke prezantuar stafin akademik, më pas studentët  patën rastin të njoftohet me të drejtat dhe detyrimet e tyre, komunikimin me Fakultetin, shërbimet dhe mbështetjen administrative, përdorimin e Sistemit të Menaxhimit Universitar (SMU), qasjen në bibliotekë dhe burimet mësimore, si dhe procedurat për kërkesa, ankesa dhe çështje të tjera studentore.

 

Pastaj programi vijoi me vizitën orientuese në hapësirat e AKSP-së, gjatë së cilës studentët u njohën nga afër me Zyrën e Shërbimeve Studentore, bibliotekën, hapësirat mësimore, shërbimet e teknologjisë informative, kushtet për akomodimin, kuzhinën/mensën, hapësirat sportive dhe rekreative, shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tjera që Akademia ofron për studentët.

 

Aktivitetin e nderuan me praninë e tyre edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Ismail Smakiqi, dhe ish-Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Bejtush Gashi.

 

Me këtë aktivitet, Fakulteti i Sigurisë Publike shënoi fillimin e rrugëtimit akademik të gjeneratës së re të studentëve të Programit Bachelor në Siguri Publike për vitin akademik 2026/2027.


Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00