AKSP u përfaqësua në Takimin e Bordit Udhëheqës dhe Konferencën Shkencore Vjetore të AEPC-së
Budapest, 16 tetor 2026 – Më 14 dhe 15 tetor 2026, Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u përfaqësua në Takimin e Bordit Udhëheqës dhe Konferencën Shkencore Vjetore të Asociacionit të Kolegjeve Policore Evropiane (AEPC), të mbajtura në Budapest, Hungari.
Të dyja ngjarjet e këtij viti shënuan përvjetorë jubilarë: 30-vjetorin e themelimit të AEPC-së dhe organizimin e Simpoziumit të Pestë Ndërkombëtar të Hulumtimit në Zbatimin e Ligjit (LILERS), i cili u organizua në bashkëpunim ndërmjet AEPC-së dhe Universitetit Ludovika të Shërbimit Publik të Hungarisë, përkatësisht Fakultetit të Zbatimit të Ligjit të këtij universiteti.
AKSP-ja u përfaqësua nga Skender Agaj, zyrtar i lartë për marrëdhënie shumëpalëshe. Gjatë këtyre aktiviteteve, ai zhvilloi takime dhe shkëmbeu biseda me përfaqësues nga shteti nikoqir, Hungaria, si dhe me përfaqësues të shumicës së vendeve të tjera pjesëmarrëse. Gjithashtu, pati rastin të takojë dhe të shkëmbejë mendime me Prof. Dr. Gábor Kovács, gjeneral brigade i policisë, president i AEPC-së dhe dekan i Fakultetit të Zbatimit të Ligjit të Universitetit Ludovika të Shërbimit Publik; Jan Pecháček, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit (CEPOL); si dhe Gábor Pósfai, ministër i Ministrisë së Brendshme të Hungarisë.
Programi i aktiviteteve përfshiu Konferencën Shkencore Vjetore të AEPC-së dhe Simpoziumin e Pestë Ndërkombëtar të Hulumtimit në Zbatimin e Ligjit (LILERS), të cilat u pasuan nga Takimi i Bordit Udhëheqës të AEPC-së. Të gjitha këto aktivitete u mbajtën në kampusin e Universitetit Ludovika të Shërbimit Publik të Hungarisë.
Përveç përfaqësuesve të Kosovës dhe të shtetit nikoqir, Hungarisë, në këto aktivitete morën pjesë edhe përfaqësues nga 23 vende të tjera evropiane.