Akreditohet programi studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor nga Agjencia e Kosovës për Akreditim
Vushtrri, 21 maj 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka arritur akreditimin e programit të ri studimor “Siguri Publike” në nivelin Bachelor për periudhën trevjeçare nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 149-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të mbajtur më 18 maj 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për programin studimor të AKSP-së. Programi “Siguri Publike” është akredituar në nivelin Bachelor me 180 ECTS, me kuotë prej 55 studentësh dhe kohëzgjatje trevjeçare të studimeve.
Programi studimor “Siguri Publike” është dizajnuar si program i ri studimor në fushën e sigurisë publike, me fokus në përgatitjen akademike dhe profesionale të kuadrove për institucionet dhe agjencitë e sistemit të sigurisë publike në Republikën e Kosovës. Programi është ndërtuar mbi një qasje të integruar, duke reflektuar specifikat, kompetencat dhe fushëveprimin e agjencive të sigurisë publike.
Akreditimi i programit studimor vjen pas suksesit të rëndësishëm institucional të Akademisë, e cila në fillim të këtij viti ka arritur akreditimin institucional pesëvjeçar në arsimin e lartë.
Akademia u është mirënjohëse të gjithë atyre që kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi institucional, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar në procesin e vlerësimit, studentëve, përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë publike, si dhe të gjithë të tjerëve që kanë kontribuar dhe janë bërë pjesë e rëndësishme e këtij suksesi.
Ky sukses është dëshmi e përkushtimit të menaxhmentit dhe gjithë stafit të Akademisë, të cilët me angazhim dhe profesionalizëm kanë kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e standardeve të cilësisë dhe zhvillimin e arsimit të lartë në fushën e sigurisë publike.
Së shpejti Akademia do të fillojë përgatitjet dhe procedurat për regjistrimin e studentëve në programin e ri studimor “Siguri Publike”, ndërsa fillimi i vitit të ri akademik planifikohet të realizohet në muajin tetor të këtij viti.