Takim prezantues me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN)
Vushtrri, 15 Maj 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z. Shpend Shabani së bashku me Shefin e Divizionit të Marrëdhënieve me Jashtë z. Avni Istrefi, pritën përfaqësuesit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (EKNN), znj. Bella P. Smith, Këshilltare për Menaxhimin e Emergjencave, dhe z. Rafael Shönert, Këshilltar për Rezistencë dhe Siguri Klimatike, për një takim prezantues dhe informues.
Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan në rolin dhe përgjegjësitë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në zhvillimin profesional dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike, përkatësisht në fushën e menaxhimit të emergjencave.
Në këtë drejtim, diskutimet u përqendruan edhe në ndikimin e këtyre aktiviteteve, me theks të veçantë në ndërtimin e kapaciteteve në menaxhimin e emergjencave, zjarrfikjen, kërkim-shpëtimin dhe fusha të ngjashme.
U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit me mekanizmat ndërkombëtarë, duke theksuar rolin e Akademisë në trajnim dhe edukim me qëllim avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe institucionale.
Takimi shërbeu si një mundësi e vlefshme për njohje të ndërsjellë dhe shkëmbim idesh në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm midis AKSP-së dhe EKNN, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale.