Vushtrri, 09 tetor 2023 – Njëzet e një zyrtarë të sigurisë publike nga më shumë se dhjetë vende të ndryshme të botës, sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), filluan trajnimin “Menaxhimi i situatave emergjente”. Qëllim i këtij trajnimi është diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë.
Në hapjen e këtij trajnimi morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari dhe ambasadori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Beqir Ismaili.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se trajnimet e tilla janë një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të ndryshme në fushën e sigurisë publike.
Ministri Sveçla, shprehi gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të kontribuar në ngritjen e sigurisë, krijimin e paqes dhe stabilitet në nivel global për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Qeveria e Kosovës është e fokusuar në luftimin e terrorizmit, korrupsionit dhe çdo aktiviteti kriminal i cili ndikon në sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ministri Sveçla.
Duke përmendur aksionet e shumta që Policia e Kosovës së bashku më Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë shkatërruar shumë grupe kriminal, ndër to edhe rastin e fundit të 24 shtatorit, ministri Sveçla tha se të gjitha këto janë prova që dëshmojnë se Kosova është një shtet që krijon siguri për vendin dhe rajonin.
“Si shtet i ri, jemi të gatshëm të kontribuojmë për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”, tha Sveçla.
Ambasadori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Beqir Ismaili, duke iu dëshiruar mirëseardhje pjesëmarrësve në trajnimi, vlerësoj se trajnimet e tilla janë një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave mes shteteve pjesëmarrëse. Ambasadori Ismaili para pjesëmarrësve ka folur rreth misionit të Akademisë Diplomatike në Kosovë.
Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, tha se ky trajnim është shumë i rëndësishëm për Akademinë.
Jashari tha se Akademia si çdo herë do të vazhdojë të ofrojë trajnime jo vetëm për zyrtarët e sigurisë publike në vend, por edhe ndërkombëtarë. “Akademia do ta përkrah çdo trajnim që është në interes të zyrtarëve të sigurisë publike, për krijimin dhe ruajtjen e paqes në vend”, tha Jashari.
Trajnimi “Menaxhimi i situatave emergjente” është organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës në bashkëpunim më Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Në këtë trajnim i cili do të zgjatë dy javë, janë duke marrë pjesë zyrtarë të sigurisë publike nga Madagaskar, Mauritania, Sao Tome, Tuvalu, Senegal, Niger, Arabia Saudite, Eswatini, Siera Lerone, Bangladesh, Honduras, Malawi, Bregu i Fildishtë, Gambia dhe Liberia.