Vushtrri, 04 mars 2016 -  Ndërmjet dy institucioneve  të arsimimit të sigurisë publike, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademisë Policore të Republikës së Malit të Zi, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka për  qëllim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok në mes këtyre dy institucioneve për të përkrahur objektivat strategjike në fushat e trajnimit, studimit, hulumtimit dhe zhvillimit, si dhe në marrëdhëniet me publikun. 
Kjo marrëveshje është nënshkruar gjatë një vizite zyrtare tre ditore që Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës  për Siguri Publike, Ismail Smakiqi pati në Mal të Zi. 
Delegacioni nga Kosova është pritur nga drejtori i Akademisë Policore në Danillovgrad, Rajko Pekoviq si dhe këshilltarët e lartë të misionit të OSBE-së në Mal të Zi. 
Gjatë kësaj vizite drejtori Smakiqi si dhe drejtori Pekoviq u deklaruan për  përkrahjen e tyre për përfitime të përbashkëta për institucionet ku ata udhëheqin. Të dyja palët u shprehen të gatshëm për të kontribuar në rritjen e lidhjeve kulturore, arsimore, hulumtuese dhe zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. 
Sipas tyre marrëveshja krijonë bazë për bashkëpunim të ardhshëm në disiplinat e përbashkëta për të dya institucionet në fushëveprimet e arsimit në tri nivele; (arsimin profesional, arsimin e vazhdueshëm profesional dhe arsimin e lartë); fushëveprimin e hulumtimit, shkëmbimit të informatave dhe rezultateve si dhe në fushëveprimin e këmbimeve të personelit akademik, studentëve, programeve të trajnimeve si dhe  programeve studimore në fushën e Sigurisë Publike.
Gjatë kësaj vizite me kërkesë të Akademisë Policore të Mali të Zi, drejtori Smakiqi i dorëzoi drejtorit Pekoviq  programin studimor Bechelor të sigurisë publike, ligjin për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  si dhe rregulloren për funksionalizimin e arsimit të lartë në AKSP-së. 
Për nderë të kësaj vizite  kadetët e Akademisë Policore të Malit të Zi  demonstruan para delegacionit të Akademisë  së Kosovës për Siguri Publike. 
Po ashtu gjatë kësaj vizite zyrtare, delegacioni nga Kosova i kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, vizituan Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, ku u priten nga drejtor i Përgjithshëm për Çështjet të Sigurisë, Mbrojtjes dhe të Mbikëqyrjes në këtë ministri, Millosh Vukqeviq,  Më këtë rast drejtori Vukqeviq shprehi kënaqësinë për bashkëpunim mes dy akademive dhe nevojën e këmbimit të eksperiencave në fushën e sigurisë publike. 
Ai e falënderoi drejtorin Smakiqi për ofrimin e programin studimor Bechelor të Sigurisë Publike.
Në vizitën zyrtare në Mal të Zi, e cila është mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovës, drejtori i  Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi është shoqëruar edhe nga drejtor i Departamentit Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Naim Shala, drejtori i Departamentit për Burime Njerëzore në Policisë e Kosovës, nënkolonel Agron Rukiqi, nga dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi, drejtori i DTPA Kastriot Jashari nga mësimdhënësja e FSP-së Florentina Shala. Në vizitë morën pjesë këshilltaret e larta të OSBE-së, Shpresa Muharremi, Shpresa Mulliqi dhe Bulent Ribari.