Zgjatet afati për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën e V-të Shkencore Ndërkombëtare në Siguri Publike
Vushtrri, 15 shtator 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike njofton të gjithë studiuesit, profesorët universitarë, hulumtuesit, ekspertët e sigurisë dhe profesionistët e fushave relevante se është zgjatur afati për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën e V-të Shkencore Ndërkombëtare në Siguri Publike.
Sipas afateve të reja të përcaktuara për organizimin e konferencës, afati për dorëzimin e abstrakteve është zgjatur deri më 31 tetor 2026. Autorët do të njoftohen për pranimin e abstrakteve më së largu deri më 5 nëntor 2026, ndërsa regjistrimi për pjesëmarrje në konferencë do të bëhet deri më 10 nëntor 2026.
Njëkohësisht, është ndryshuar mënyra e dorëzimit të punimeve të plota. Pjesëmarrja dhe prezantimi i punimeve në konferencë realizohen në bazë të abstrakteve të pranuara, ndërsa autorëve të interesuar për publikimin e punimeve të plota u mundësohet dorëzimi i tyre edhe pas përfundimit të konferencës, më së largu deri më 31 dhjetor 2026. Punimet e dorëzuara për publikim do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse të vlerësimit shkencor para publikimit.
Konferenca synon të shërbejë si platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe rezultateve të hulumtimeve shkencore në fushën e sigurisë publike, me fokus të veçantë në transformimin digjital, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë.
Afatet e përditësuara janë:
Dorëzimi i abstrakteve: deri më 31 tetor 2026
Njoftimi për pranimin e abstrakteve: deri më 5 nëntor 2026
Regjistrimi për pjesëmarrje: deri më 10 nëntor 2026
Publikimi i agjendës finale: 10 nëntor 2026
Mbajtja e konferencës: 19-20 nëntor 2026
Dorëzimi i punimeve të plota (nga autorët e interesuar për publikim): deri më 31 dhjetor 2026
Abstraktet dorëzohen në adresën elektronike: [email protected].
Për kriteret akademike dhe shkencore, formatin e abstraktit, formatin e punimit të plotë dhe informata të tjera rreth konferencës, të interesuarit mund t’u referohen dokumenteve të publikuara në thirrjen për punime të publikuar më 26.06.2026: https://aksp-ks.net/News/NewsArticle/872
Pjesëmarrja në konferencë është pa pagesë.