Pranimi në studime

Programi studimor është i tipit të mbyllur dhe i dedikohet zyrtarëve të punësuar në institucionet e sigurisë publike siç janë: Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Sprovues i Kosovës, Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave dhe Dogana e Kosovës. 

Për institucionet tjera të sigurisë që nuk janë të cekura në Ligjin e AKSP-së, pranimi në programin studimor bachelor përcaktohet me memorandum të bashkëpunimit të lidhur mes AKSP-së dhe të institucionit përkatës.

Studimet bachelor organizohen sipas programit të akredituar nga Këshilli shtetëror për cilësi – Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Kuotat për regjistrim

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë pas konsultimit me Këshillin e Fakultetit vendos lidhur me numrin e përgjithshëm të studentëve për vitin akademik në raport me kapacitetet që mund të ofrojë Akademia. Kuotat për vendet e studimit në Fakultet caktohen nga Bordi i Akademisë. Nëse agjencia përkatëse nuk i shfrytëzon vendet sipas kuotës së përcaktuar atëherë ato mund të plotësohen me studentët nga agjencionet tjera sipas vendimit të Bordit.

Kushtet e përgjithshme për aplikim në studimet bachelor 

Kushtet e përgjithshme për aplikim në studimet bachelor për zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike janë si në vijim: 

-  Të ketë të përfunduar me sukses shkollimin e mesëm të vërtetuar me diplomë; 

-  Të jetë i punësuar në:

  • Policinë e Kosovës si zyrtar policor; 

  • Doganën e Kosovës si zyrtar doganor; 

  • Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave; 

  • Shërbimin Korrektues të Kosovës si zyrtar korrektues;

  • Shërbimin Sprovues të Kosovës; dhe 

  • Inspektoratin Policor të Kosovës.

Kandidatët të cilët e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë Republikës së Kosovës janë të obliguar që ta nostrifikojnë diplomën në MASHT.

Kushtet e veçanta për aplikim në studimet bachelor

Kushtet e veçanta për aplikim në studimet bachelor për zyrtarët e institucioneve të sigurisë publike përcaktohen nga institucionet e sigurisë publike mbi bazën e analizës së nevojave për ngritjen e kapaciteteve të brendshme.

Shpallja e konkursit për aplikim në studimet bachelor

Fakulteti i Sigurise Publike i njofton me shkresë zyrtare institucionet e sigurisë publike për fillimin e procedurave për shpalljen e konkursit të brendshëm. institucionet e sigurisë publike mbi bazën e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta ne koordinim me Fakulteti i Sigurise Publike shpallin konkurs të brendshëm për përzgjedhjen e zyrtarëve që regjistrohen në studimet bachelor.